Një bazë me armë zjarri dhe municion luftarak është zbuluar në Manzë të Durrësit, ndërsa një 20-vjeçar ka përfunduar në pranga. Policia dyshon se arsenali mund të ketë shërbyer për furnizimin e grupeve kriminale.
Operacioni policor i koduar “Baza” u finalizua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Ergis Pepa, 20 vjeç, banues në Manzë, u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 4 pistoleta, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu, 6 krehëra dhe qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm.
Njoftimi i Policisë Durrës:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Baza”.
Zbulohet një bazë me arsenal armësh dhe municioni luftarak, që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale.
Arrestohet në flagrancë një 20-vjeçar.
Sekuestrohen 4 pistoleta, 1 kallashnikov, 1 armë gjahu (shotgun), 6 krehëra, qindra fishekë luftarakë, 1 targë automjeti italiane dhe 1 aparat celular.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Durrës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Baza”.
Si rezultat i këtij operacioni u zbulua një bazë ku mbaheshin armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se shërbenin për furnizimin e grupeve kriminale.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. P., 20 vjeç, banues në Manzë, Durrës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri automatike model 56 (kallashnikov), 1 armë gjahu (shotgun), 6 krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 1 targë automjeti italiane dhe 1 aparat celular.

© SYRI.net