Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, i përballur me një ngarkesë të jashtëzakonshme dhe procese që zvarriten për vite me radhë, ka tashmë një alternativë ligjore që synon të ofrojë zgjidhje të shpejta dhe efikase për qytetarët. Bëhet fjalë për ndërmjetësimin, një mekanizëm jashtëgjyqësor që mund të funksionojë si një "valvul shkarkimi" për një sistem të tejmbushur, ku një çështje mund të zgjasë nga 15 deri në 20 vjet për të marrë një vendim të formës së prerë.
Kjo alternativë, e cila bazohet në modele të suksesshme të vendeve të Bashkimit Evropian, ofron një rrugëdalje nga burokracitë dhe vonesat e gjata të gjykatave. Qytetarët që kanë një konflikt familjar si divorci, një mosmarrëveshje për pronën, një çështje të marrëdhënieve të punës apo edhe çështje të caktuara penale, mund t'i drejtohen drejtpërdrejt një ndërmjetësi për të gjetur një zgjidhje brenda një afati nga 1 deri në 30 ditë.
Drita Avdyli, avokate ndërmjetëse e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në Syri Tv tregon se fuqia e këtij procesi qëndron në vlerën ligjore të marrëveshjes së arritur. Akt-marrëveshja e firmosur nga palët nëpërmjet një ndërmjetësi përbën titull ekzekutiv, çka do të thotë se ka të njëjtën fuqi sa një vendim i Gjykatës së Apelit dhe mund të ekzekutohet menjëherë.
“Alternativa që sjellim ne për zgjidhje, ndërmjetësimi, është një valvul shkarkimi të këtij sistemi që është i tejmbushur me probleme, me zgjidhje të cilat zgjasin në tre shkallët e gjyqësorit nga 15 deri në 20 vite. Duke parë gjithë këto burokraci, duke qenë se të gjithë qytetarët shqiptarë për konfliktet dhe mosmarrëveshjet e tyre nuk gjejnë dot zgjidhje, atëherë ne kemi gjetur një zgjidhje ligjore, për t'i ardhur në ndihmë të qytetarëve për të zgjidhur gjithë llojet e konflikteve jashtë gjyqësisht, në mënyrë ligjore dhe ajo bëhet vetëm me ndërmjetësim. Pra, zgjidhja alternative.
Si funksionon ndërmjetësimi dhe ku dallohet ndërmjetësi nga avokati?
Ndërmjetësit janë profesionistë të lirë, të trajnuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve dhe të licencuar nga Ministria e Drejtësisë, duke u rreshtuar përkrah profesioneve të tjera si avokatët, noterët dhe përmbaruesit. Ata nuk janë pjesë e sistemit gjyqësor, por ofrojnë një shërbim ligjor të pavarur. Ndryshe nga procesi tradicional ku një avokat e çon çështjen në gjykatë, ndërmjetësi lehtëson dialogun mes palëve për të arritur një konsensus që kënaq të dyja palët.
“Personi e zgjedh vetë ndërmjetësin. Është një zgjidhje jashtëgjyqësore që ndodh nga një ditë në 30 ditë. Akt marrëveshja është titull ekzekutiv i barazvlefshëm si një vendim i gjykatës së Apelit. Në momentin që palët nënshkruajnë marrëveshjen titulli ekzekutohet menjëherë.
Avokatët e çojnë cështjen në gjykatë, ndërsa ne e zgjidhim vetë përmes palëve. Pra individi zgjedh një ndërmjetës, vjen pala e parë tek ne. Ne ftojmë palën e dytë dhe i çojmë drejt një zgjidhje që kënaq të dy palët” shpjegon Avdyli
Kush janë avantazhet?
Avantazhet për qytetarët janë të shumta: ata zgjedhin vetë ndërmjetësin, kursejnë kohë dhe shpenzime, dhe shmangin stresin e një procesi të gjatë gjyqësor. Mjafton një ndërmjetës i vetëm për të dyja palët, duke reduktuar ndjeshëm kostot. Ky sistem tashmë është funksional dhe po ofron zgjidhje për një gamë të gjerë konfliktesh, nga divorcet e emigrantëve që mund të zgjidhen online, deri te mosmarrëveshjet e pronësisë me institucione si ASHK apo çështjet penale që përfshijnë të miturit, duke u ofruar këtyre të fundit masa alternative në vend të dënimit.
“Zgjidhim gjithë llojet e konflikteve. Divorcet pa ju drejtuar fare gjykatës. Qytetarët mund të jenë në Angli, pra janë emigrantë, mund ta zgjidhin me ne online, dhe kjo zgjidhet nga 1 deri në 30 ditë. Mund të zgjidhim çështjet e pronësisë midis palëve, por dhe midis qytetarit dhe ASHK-së për mbivendosjet, për një gabim njerëzor që mund të ketë bërë ASHK-ja. Pra mund të zgjidhim konfliktet dhe me në çështje civile. Kemi krijuar institucionin e përhershëm të arbitrazhit për t'i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve biznesmenë. Por zgjidhim konfliktet edhe në çështjet penale.
© SYRI.net