Lushnje
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre persona, të akuzuar për “ndërtim të paligjshëm”, “shpërdorim detyre” dhe “ekspertim të rremë”.
Bëhet fjalë për ndërtuesin N.Q., pas pajisjes me leje ndërtimi nga Bashkia Lushnje, ka tejkaluar kushtet e saj duke ndërtuar një sipërfaqe shtesë prej 276.6 m², ose rreth 77% më shumë se ajo e parashikuar në projekt.
Hetimet zbuluan gjithashtu shkelje nga strukturat inspektuese të Bashkisë Lushnje. Ish-kryeinspektori i IMT-së, Gj.M., akuzohet për mospërmbushje të detyrës dhe veprime në kundërshtim me ligjin, duke lejuar zbatimin e paligjshëm të projektit.
Ndërkohë, eksperti E.S. ka hartuar një akt ekspertimi me të dhëna të rreme, duke mos pasqyruar sipërfaqen reale të ndërtimit, e cila rezultonte shumë më e madhe se ajo e raportuar prej tij.
Ndërtuesi N.Q është dërguar në gjykatë për akuzën “Ndërtim i paligjshëm”
Kryeinspektori i IMT-së Gj.M “Shpërdorimi i detyrës”
Eksperti, E. S, “Ekspertimi i rremë"
Njoftimi i prokurorise
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin N.Q., për kryerjen e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a pg.4 i Kodit Penal, shtetasin Gj.M, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe shtetasin E. S, për kryerjen e veprës penale “Ekspertimi i rremë” parashikuar nga neni 309 pg.1 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.322 të vitit 2021, rezultoi se ndërtimi i realizuar nga investitori/subjekti ndërtues, në lagjen “Kongresi” Bashkia Lushnje, u krye në shkelje të rëndë të kushteve të lejes së ndërtimit.
Prokuroria dokumentoi se shtetasi N.Q, pasi ishte pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Lushnje, gjatë zbatimit të projektit, ka realizuar punime tej lejes së marë. Në total sipërfaqja e ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit rezultoi 276.6m², ose 77% e ndërtimit.
Gjithashtu, veprimet hetimore u fokusuan në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të strukturave inspektuese vendore pranë Bashkisë Lushnje, Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit pranë kësaj bashkie.
Nga ana e autoritet inspektues, IMT-së, Bashkia Lushnje, personave përgjegjës të ngarkuar me ushtrimin e detyrave funksionale që lidhen me kontrollin e territorit dhe monitorimin në vijimësi të zbatimit të lejeve ndërtimore, u konstatua se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës. Fakti penal i konstatuar ju atribua nga prokuroria shtetasit M.Gj., me detyrë Kryeinspektor pranë IMT-së Bashkia Lushnje, në kohën e kryerjes së veprës.
Po kështu edhe shtetasi E.S, me cilësinë e ekspertit me kryerjen e aktit të ekspertimit, ka paraqitur në të dhëna të rreme që lidhen me sipërfaqen reale të ndërtimit të realizuar. Nga hetimet rezultoi se sipërfaqja e ndërtuar nga i pandehuri ishte disa herë më e madhe se ajo e pasqyruar nga eksperti.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të gjithë shtetasve që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve si dhe punonjësve shtetërore ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
© SYRI.net