SYRI TV/ Bilanci i 'Air Albania'/ 5 vjet humbje, aksioneri 'Turkish Airlines' konfirmon krizën

13:30, 24/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Për të pestin vit radhazi kompania shqiptare e fluturimeve, Air Albania, rezulton me humbje. Ndonëse vet kompania refuzon të dorëzojë bilancet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, aksioneri i saj shoqëria Turkish Airline konfirmon rrënimin e Air Albania. Sipas Turkish Airline, edhe për vitin 2024 nuk e ka përfshirë në bilancet e saj kompaninë shqiptare të fluturimeve, për shkak se humbja tejkalon të gjithë totalin e aksionit të grupit turk. Dyshimet janë se Air Albania, që i ka vënë në dispizion avion çarter Kryeministrit Edi Rama, të jetë me dhjetëra milionë euro humbje.

Shoqëria “Air Albania”, e cila i ka vendosur në dispozicion një avion-taksi kryeministrit Edi Rama, rezulton se për të pestin vit rresht ka dalë me humbje. Kompania me seli në Shqipëri refuzon prej të paktën 4 vitesh që të publikojë bilancet financiare, në shkelje të plotë të legjislacionit vendas. Megjithatë, situata e saj e vështirë ekonomike zbulohet në të dhënat e Kontabilitetit të aksionerit të saj kryesor, Turkish Airlines. Shoqëria turke, e cila zotëron 49 përqind të aksioneve të “Air Albania”, deklaron se nuk e ka përfshirë shoqërinë shqiptare në bilancet e saj për vitin 2024, pasi “humbja tejkalon të gjithë totalin e aksionit të grupit”.

“Që nga 31 dhjetori 2019, humbja e Air Albania, e cila tejkalon pjesën totale të Grupit në kapitalin aksionar të sipërmarrjes së përbashkët, nuk është përfshirë në pasqyrat financiare të konsoliduara”, thotë “Turkish Airlines” në Raportin Vjetor për vitin 2024. Një shënim i ngjashëm ndodhet edhe në Raportet Vjetore të viteve të kaluara, duke konfirmuar gjithnjë e më shumë se “Air Albania” është një shoqëri thuajse e falimentuar.

Kompania “Air Albania” është krijuar në vitin 2018. Struktura e aksionerëve të saj është ndarë në 49 përqind të “Turk Hava Yollari” ose Turkish Airlines, 41 përqind në pronësi të “MDN Investiment” të familjes së biznesmenit vlonjat, Sinan Idrizi dhe 10 përqind i zotëron shoqëria publike “Albcontrol”.

Në vitin 2020, “Air Albania” nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, me qëllim vëniën në dispozicion të kryeministrit Rama një avion çarter për udhëtimet e tij rajonale e ndërkombëtare. Këshilli i Ministrave dhe “Air Albania” nuk kanë publikuar asnjëherë efektet financiare të kësaj Marrëveshjeje. Opozita e akuzon kreun e qeverisë se prej vitesh po shpenzon miliona euro për udhëtimet e tij me avionin-taksi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco