Dosja ‘5D’, të besuarit e Veliajt u arrestuan nga SPAK ditën kur u publikuan faktet e TIMS për Olsin e Xibrakës

Dosja ‘5D’, të besuarit e Veliajt u arrestuan nga SPAK ditën kur u publikuan faktet e TIMS për Olsin e Xibrakës

19:43, 28/03/2024
A+ Aa A-

SPAK urdhëroi sot arrestimin për 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës që drejtohet nga Erion Veliaj, në kuadër të hetimeve të asaj që njihet si dosja ‘5D’. Mes të arrestuarve janë edhe Mariglen Qato e Redi Molla, dy prej drejtorëve më të besuar të Veliajt, që i bashkohen Taulant Tushes, një tjetër emri të besuar të kryebashkiakut të Tiranës, ndaj të cilit rëndohen akuzat, duke qenë se ndaj tij SPAK po heton edhe lidhur me inceneratorin fantazëm të Tiranës.

Mes emrave që ndodhen në listën e SPAK janë drejtorë me peshë në raport me Veliajn, por edhe periferikë, që mesa duket Prokuroria Speciale ka vendosur ti shtojë në një listë për ti dhënë rëndësi operacionit.

Të besuar të Veliajt krahas Tushes, Qatos e Mollës është Eglantina Zëre. Emri i saj ndodhet në listën e SPAK. Ajo ka qenë këshilltare e Veliajt, sikundër ka drejtuar edhe Tirana Parking, një  institucion,  i cili administron shërbimin e Parkimit Publik me Pagesë.

Enton Punavija, një tjetër drejtor i Veliajt, ka emrin mes personave për të cilët SPAK ka kërkuar një masë sigurie, natyrisht jo me arrest në burg.

Punavija të paktën deri në shkurt të 2024 ishte Drejtor i Drejtorisë së Transportit në Bashkinë e Tiranës.

Sipas njoftimit të SPAK, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Taulant Tushe, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe shtetasit Enton Punavija., në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në disa procedua prokurimi, kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik.

Julian Zahaj është një tjetër prej emrave, për të cilën SPAK ka lëshuar masën “detyrim paraqitje”. Sipas raportimeve, Zahaj ka qenë drejtor i prokurorimeve në Bashkinë e Edi Ramës, për të vijuar më pas edhe si pjesë e stafit të Erion Veliajt. Edhe Zahaj, si pjesë e komisionit të vlerësimit të ofertave, njëlloj si Punavija, kanë favorizuar kompaninë me pronarë faktik drejtorët e Veliajt.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco