Vijojnë flukset në dogana, mijëra bashkëkombas kthehen në atdhe për festat

15:49, 25/12/2023
A+ Aa A-

Vijon fluksi i bashkëkombasve, që kthehen në atdhe për të kaluar festat e fundvitit. Në të gjitha hyrjet doganore të vendit, ka pasur mijëra qytetarët që kanë mbërritur në vend.

Teksa në doganat tona nuk raportohen probleme me kontrollet kufitare, bashkëkombasit kanë pasur ankesa për doganat e vendeve fqinje.

SYRI TV

Ka vijuar edhe këtë të hënë të ketë fluks hyrjesh nga pikat doganore, të Kakavijës dhe Kapshticës. Të dhënat zyrtare raportojnë se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë nga pika kufitare e Kapshticës janë futur në Shqipëri mbi 6700 shtetas ndërsa kanë dalë rreth 2200.

Në Qafë Thanë janë futur rreth 3696 shtetas, e një numër i përafërt me këtë shifër, raportohet se ka dalë.

Në doganën e Kakavijës, gjatë 24 orëve të fundit janë futur 6018 shtetas me kombësi shqiptare dhe kanë dalë rreth 1600 të tjerë në drejtim të Greqisë.

Shtetas të huaj nga Kakavija janë futur rreth 1531 dhe kanë dalë rreth 505. Fluks lëvizjesh në hyrje dhe dalje ka pasur edhe nga pikat e tjera doganore të vendit, përfshirë Aeroportin e Rinasit.

Edhe në pikën doganore të Muriqanit në Shkodër, këto ditë festash janë shoqëruar me fluks hyrjesh dhe daljesh. Gjatë tre ditëve të fundit janë futur në vendin tonë rreth 43 mijë shtetas, ndërsa kanë dalë rreth 14 mijë të tjerë.

Ditët me ngarkesën më të madhe kanë qenë ato të fundjavës, ku mijëra shtetas kanë hyrë nga Muriqani në drejtim të Shqipërisë.

Kjo pikë kufitare ka fluks të lartë edhe për shkak se përdoret nga shumë shtetas nga Kosova, të cilët përdorin si tranzit Shqipërinë për të ardhur në vendlindjen e tyre për festat e fundvitit.

Edhe në pikat kufitare të Portit të Durrësit dhe Vlorës si dhe nga porta ajrore e vendit, aeroporti i Rinasit, ka pasur fluks të lartë në hyrje por edhe në dalje.

Deri më tani nuk janë raportuar probleme në doganat tona, ndërsa në pikat kufitare me Greqinë, qytetarët janë ankuar se kontrollet në vendin fqinj kanë qenë të avashta, duke sjellë për pasojë vonesa.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco