Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Arrestohen dy autorë të grabitjes së dhunshme në Kosovë

Arrestohen dy autorë të grabitjes së dhunshme në Kosovë

21:45, 25/11/2023
A+ Aa A-

Dy persona janë arrestuar këtë të shtunë lidhur me grabitjen e armatosur që ka ndodhur të mërkurën në një argjendari në Suharekë, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit grabitësit kanë plagosur një zyrtar policor.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Ervehe Gashi, prokurore e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren.

Ajo ka bërë të ditur se personat e arrestuar dyshohet se iu kanë ndihmuar kryerësve të veprës penale për përgatitjen e grabitjes në Suharekë.

“Janë arrestuar dy persona. Të njëjtit dyshohet se iu kanë ndihmuar kryerësve të veprës penale. Ata janë arrestuar sot pasdite”, ka thënë prokurorja Gashi, duke shtuar se nuk mund të japë më shume informacione për shkak të hetimeve që po zhvillohen.

Një grabitje e rëndë në një biznes argjendarie në Suharekë, të mërkurën ka tronditur opinionin publik në Kosovë.

Policia e Kosovës teksa ka njoftuar për rastin, ka thënë se me të marr informatën për një rast “grabitje e armatosur”, që ishte në zhvillim e sipër në një argjendari, në rrugën Brigada 123, në Suharekë, patrulla më e afërt është nisur në atë drejtim, duke mbërri shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe duke hasur grabitësit në aksion.

“Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur. Posa patrulla policore ka mbërri në vendin e ngjarjes të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit”, thuhet në njoftim.

Policia tutje ka bërë të ditur se ndërkohë kanë mbërri në vendin e ngjarjes edhe përforcime të tjera policore dhe se nga të dhënat e para dyshohet se ishin katër të dyshuar.

 “Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën”, vijon njoftimi i Policisë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me drejtoritë tjera rajonale thonë se janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit konkretisht identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

“Ftojmë gjithashtu të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund të na ndihmon në kapjen e kryesve të këtij rasti të kontaktojnë policinë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco