Kokaine nga Ekuadori në Britani të Madhe në kontejner bananesh, si ranë në pranga grupi kriminal shqiptar

Kokaine nga Ekuadori në Britani të Madhe në kontejner bananesh, si ranë në pranga grupi kriminal shqiptar

12:00, 10/11/2023
A+ Aa A-

Katër anëtarë të një grupi të krimit të organizuar janë dënuar pasi tentuan të kontrabandonin 139 kilogramë kokainë në Mbretërinë e Bashkuar të fshehur në një ngarkesë bananesh. Por si funksiononte skema e këtij grupi kriminal?

Kontejneri kishte mbërritur nga Ekuadori dhe u kontrollua në portin e Londrës, Gateway. Disa ditë më vonë, Robert Ball, i cili më vonë u zbulua se vepronte në emër të një grupi të krimit të organizuar shqiptar, kontaktoi linjën e transportit për t’u kërkuar atyre katër kontejnerë, përfshirë atë që ai mendonte se përmbante drogën.

Ball, 59 vjeç, nga Cheshire, organizoi një kompani transporti për të marrë dhe transferuar kontejnerët në një kompani magazinimi në Coventry. Këto lëvizje u vëzhguan nga oficerët e NCA.

Sipas mediave britanike, Ball, së bashku me bashkëpunëtorët Florjan Ibra, Mirgent Shahu dhe Arman Kaviani, mbërritën disa ditë më vonë, më 15 prill 2022. Ball dhe Shahu u dhanë udhëzime Kavianit dhe Ibrës në oborrin e magazinimit.

Ata hapën kamionin duke përdorur një levë dhe filluan të shkarkonin paketat që besonin se përmbanin drogë, por ndërsa e bënë këtë, NCA dhe oficerët e policisë ndërhynë për t’i arrestuar. Kaviani dhe Ibra tentuan të arratiseshin, por u kapën.

Të katër burrat u akuzuan më vonë për vepra të importimit të kokainës. Ball dhe Shahu u dënuan nga një juri në Warwick Crown Court më 26 maj të këtij viti, ndërsa Ibra dhe Kaviani u deklaruan fajtorë në një seancë të mëparshme.

Në të njëjtën gjykatë, Ball dhe Shahu u dënuan me nga 18 vjet burgim, ndërsa Ibra u dënua me 13.5 vjet burg dhe Kaviani me 12 vjet e 9 muaj në seancat e mëparshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco