Lajmi i fundit

ODEON/ "Baladë dritash për Zobrën", Viola Isufaj për enigmën e nje verbi të pazakontë

Si tentuan institucionet e shtetit të mbulojnë dhunimin e 3-vjeçares, vonesat dhe paligjshmëritë e institucioneve

Si tentuan institucionet e shtetit të mbulojnë dhunimin e 3-vjeçares, vonesat dhe paligjshmëritë e institucioneve

19:49, 09/11/2023
A+ Aa A-

Nëse nuk ka një reagim të fortë publik, është e vështirë të gjesh drejtësi në institucione shqiptare, për shkak të neglizhencave apo korrupsionit.

Këtë gjë na e tregon më së miri rasti i dhunimit të vajzës 3-vjeçare në kopshti privat “Stinët” në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, nga edukatorja Majlinda Dehima, ku për shkak të dhunës i theu dhe këmbën të miturës, e cila përfundoi në spitalin e Traumës.

Rasti i dhunës dhe pamjet tronditëse u publikua nga emisioni “Stop” dhe solli jo vetëm indinjatën e opinionit publik, por zbuloi një zinxhir paligjshmërie.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 nëntor, por vetëm ditën e sotme, pra 11 ditë më pas, u arrestua edukatorja Majlinda Dehima, 48-vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”.

Kjo, për shkak se dhunimi i 3-vjeçares u tentua të mbulohej e të manipulohej nga drejtuesit e kopshtit privat dhe institucionet, pasi OPGJ nuk mori denoncimin në spital, mjekët nuk bënë gjithashtu denoncim, mjeku ligjor nuk shkoi të bënte ekspertizën e gjendjes së vajzës.

Institucionet reaguan pas denoncimit të rastit në televizion, duke zbuluar kudo paligjshmëri.

Në radhë të parë, e konfirmuar vetë nga Policia e Shtetit se pas verifikimeve është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota nga komisariati nr. 1 në kryeqytet, pasi nuk ishte bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit.

Kjo solli dhe pezullimin nga detyra të: Komisar Rustem Dervishi, me detyrë zv/shef i Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë; Nënkomisar Ylli Çako, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1 dhe Nënkomisar Ergys Brahimaj, me detyrë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1.

Ata kanë pranuar se kanë neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçare, ku kanë theksuar se kishin ndër mend të shihnin pamjet e kamerave të sigurisë në ditët në vijim, për të kuptuar çfarë kishte ndodhur dhe si ishte thyer këmba e vajzës së mitur në atë mënyrë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore i ka referuar Prokurorisë së Tiranës dosjen ndaj 2 policëve, Ylli Çakon, shef i seksionit të krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës për akuzën “shpërdorim detyre”.

Së dyti, Instituti i Mjekësisë Ligjore e ka kryer aktin e ekspertizës mjeko-ligjore në datën 7 nëntor, pas denoncimit të pamjeve dhe në datën 8 i është dorëzuar Prokurorisë së Tiranës. Pra, është kryer rreth një javë me vonesë.

Së treti, Policia e Tiranës, edhe pas publikimit të pamjeve, e ka lënë në gjendje të lirë edukatoren Majlinda Dehima, duke nisur vetëm procedim penal për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”. Ajo u arrestua me kërkesë të Prokurorisë pas akt-ekspertizës mjeko-ligjore.

Por, denoncimi në media i dhunimit të 3-vjeçares zbuloi edhe skandalin se kopshti “Stinët” kryente aktivitetin pa licensë. Kjo e konfirmua nga Ministria e Arsimit, e cila ka vendosur më pas mbylljen e kopshtit privat.

Gjithashtu, nisi procedimi penal për administratorin e kopshtit, Daniel Danushi, për veprat penale “ushtrim pa licensim të veprimtarisë”, “fshehje financiare” dhe “mospagim i taksave dhe tatimeve”.

Subjekti ishte në pronësi të bashkëshortes së tij, Entela Danushi, drejtoreshë e kopshtit, për të cilën nuk ka asnjë procedim penal. Edhe pse pa licensë, kopshti “Stinët” ka lulëzuar përballë autoriteteve që kanë “mbyllur sytë”.

Prokuroria po vijon hetimet për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë përfituar ryshfet nga pronarët e kopshtit privat “Stinët”, por kjo mbetet në kuadër të dyshimeve pasi për momentin nuk ka prova për ngritje akuze.

Ndërkohë, për drejtoreshën e kopshtit, Entela Danushi, për të cilën ende nukl ka procedim, ajo ka dhënë deklarime të rreme në Polici, sipas hallës së të miturës së dhunuar.

Sipas hallës së 3-vjeçares, Entela Danushi fillimisht  ka thënë se të miturën mund ta ketë pickuar diçka edhe më pas ndryshoi versionin se vajza mund të ketë rënë nga krevati.

Po ashtu, edhe edukatorja, tashmë e arrestuar Majlinda Dehima, e ka mohuar në dëshminë e dhënë në Polici dhunën e ushtruar dhe se po ashtu, edhe sipas saj, e mitura mund ta ketë thyer këmbën tek krevati.

Pra, në këtë ngjarje të rëndë janë një sërë institucionesh që nuk kanë reaguar në kohë dhe nëse nuk do të ishte denoncuar në media, si në shumë ngjarje të tjera, drejtësia s’do vihej në vend.

Për ngjarjen e rëndë, ka patur edhe dy protesta nga ana e qytetarëve, më konkretisht, ditën e djeshme para godinës së kopsjhtit “Stinët” në Ali Demi dhe sot para godinës së Ministrisë së Arsimit./Boldnews

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco