Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

I pritur nga Rama në zyrë/ Gazeta kanadeze shkruan për Luftar Hysën, i dyshuar për pastrim ndërkombëtar parash me kartelin famëkeq të  Sinaloas

I pritur nga Rama në zyrë/ Gazeta kanadeze shkruan për Luftar Hysën, i dyshuar për pastrim ndërkombëtar parash me kartelin famëkeq të Sinaloas

14:27, 07/10/2023
A+ Aa A-

Nën shënjestrën e GRC-së

Xhandarmëria mbretërore e Kanadasë (GRC) dyshon se karteli i Sinaloas, një prej organizatave më të fuqishme kriminale në botë, pastron paratë e pista përmes një kazinoje në Kahnauake, në jug të Montrealit. Sipas asaj që mëson La Presse, forcat policore të tri vendeve po hetojnë për një pastrues të mundshëm parash të kartelit që është infiltruar në industrinë e lojërave të fatit në rezervatin e Mohokut.

"Është koha për të fituar në Magic Palace," thotë njoftimi. E ndodhur në Rrugën 132, në zemër të Kahnuake, disa minuta larg Montrealit, salla e lojërave nuk ka asgjë për t'u pasur zili strukturave të ngjashme: një poster i ndriçuar nga një distancë e madhe, hapësirë e madhe parkimi falas, një restorant i mirë, pije freskuese falas për lojtarët, roje sigurie dhe personel i kujdesshëm.

Edhe nëse Loto-Québec përsërit vazhdimisht që industria private e lojërave në territoret autoktone është e jashtëligjshme, klientela mbetet gjithmonë atje.  

Gjatë një vizite të fundit të La Presse, në mes të ditës, vendi ishte plot me lojtarë entuziastë që vinin nga qytetet fqinje për t'u ulur në një nga 400 makineritë e fundit. Një përzgjedhje thuajse po aq e bollshme sa ajo e kazinosë së Mont-Tremblantit, për të bërë një krahasim.

Gjëja e vetme e veçantë ishte fakti se shumë prej makinerive të Magic Palace janë në spanjisht. Pak njerëz e dinë, por aktiviteti ka lidhjen të ngushta me Meksikën, prej implikimit të një manjati kazinosh meksikane në ishullin e Montrealit: Luftar Hysa.

Aleanca me "El Mayo"-n

Zoti Hysa, një biznesmen i lindur në Shqipëri, bëri bujë në Meksikë në shtator të vitit 2022 për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar: dy gazeta konkurrente, El Universal, më pas Milenio, cituan burime nga shërbimet federale meksikane të sigurisë se ai ka bërë një marrëveshje për të pastruar para për kartelin e Sinaloas.

El Universal pretendon se sipas shërbimeve të inteligjencës qeveritare, marrëveshja është bërë mes familjes Hysa dhe Ismael Zambada Garsias, ose "El Mayo", kreu i një fraksioni të kartelit, me qëllim riinvestimin e të ardhurave nga trafiku i drogës në ekonominë e ligjshme përmes projekteve të pasurive të paluajtshme ose turistike.

"Ata zbuluan se El Mayo kishte krijuar lidhje me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa, një grup kriminal shqiptar që është nën shënjestrën e autoriteteve financiare prej aktivitetit të çrregullt ekonomik të regjistruar në sektorin e turizmit dhe të kazinove, si në Meksikë ashtu edhe në Shqipëri", shkruan gazeta.

"Aktualisht, sipas autoriteteve federale, shqiptarët po kryejnë një operacion për llogari të kartelit Sinaloa që synon të transferojë miliona dollarë në vendin e tyre përmes kompanive guaskë", vijon gazeta.

Gazeta Milenio citoi burime nga "kabineti i sigurisë" i qeverisë meksikane, që arritën në të njëjtin përfundim dhe shtuan se një pjesë e pastrimit të parave është bërë përmes "kazinove të vendosura në veri të Meksikës".

Në deklaratat për disa media meksikane dhe shqiptare, zoti Hysa dhe përfaqësuesit e tij mohuan çdo lidhje me kartelet apo paratë e drogës.

Hetimi delikat

Por sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga La Presse, GRC-ja beson se Luftar Hysa riciklon para nga trafikantët meksikanë dhe që përdor një kazino në Kahnauake për ta këtë.

"Gjithçka tregon se Luftar Ali Hysa ka hyrë në rezervatin indian të Kahnauakes për të pastruar para në emër të kartelit meksikan të Sinaloas, po ashtu edhe për llogari të tij," thotë një hetuese policie.

Hetuesja pretendon se ekipi kombëtar i inteligjencës kriminale të GRC-së e konsideron zotin Hysa një pastrues ndërkombëtar parash me bazë në Kebek. Ajo vëren se biznesmeni udhëton vazhdimisht mes Montrealit, Meksikës dhe Europës.

Oficerja i policisë tregon gjithashtu se autoritetet e Shqipërisë kanë kërkuar ndihmën e policisë kanadeze në hetimin e Luftar Hysës. Në kërkesën e tyre, ata thonë se biznesmeni "dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal me veprimtari pastrimi parash në Meksikë, Kanada, Panama, Poloni dhe Shqipëri".

"Grupi ka 30 kazino e restorante në Meksikë, Kanada, Belize dhe Poloni për të lehtësuar aktivitetet e tij," specifikon hetuesja në përmbledhjen e saj për autoritetet shqiptare.

Për shkak të kontekstit historik shumë të tendosur, ka qenë e vështirë për policinë kanadeze të ndërhyjë në territorin e Mohokëve që nga kriza Oka e vitit 1990. Por dokumentet e siguruara nga La Presse tregojnë se GRC-ja ka punuar në fshehtësi për t'iu afruar objektivit: pas leximit të informacionit të depozituar në gjykatë nga hetuesit, një gjyqtar urdhëroi CIBC dhe Desjardins që t'i siguronin policisë deklaratat bankare të zotit Hysa dhe disa kompanive.

Kur u pyet të hënën për këtë dosje, Duejn Zakari, kreu i Peacekeepers, policia e  Kahnauakes, thjesht theksoi se agjentët e tij kishin provuar se ishin bashkëpunëtorë të çmuar në disa dosje për shërbimet policore jashtë rezervatit.

"Peacekeepers e Kahnauakes punojnë me shumë organizata policore dhe ne bashkëpunojmë me çdo agjenci që ka nevojë për ekspertizën tonë", deklaroi ai pa dhënë asnjë koment tjetër.

Zyrtarisht, Luftar Hysa nuk figuron publikisht si pronar i Magic Palace. Megjithatë, në një intervistë për një televizion shqiptar ka thënë se është pronar i lokalit Mirela, që ndodhet brenda kazinosë, që mban edhe emrin e bashkëshortes së tij.

Kur Poker Palace, paraardhësi i Magic Palace, restauroi ambientet dhe mori përsipër të pajisej me pajisje profesionale hotelerie, në vitin 2017, faturat u bënë edhe në emër të Poker Palace të Kahnauakes, por pagesa prej 220,000 dollarësh është bërë nga Luftar Hysa, tregojnë dokumentet e depozituara në Gjykatën e Lartë si pjesë e një mosmarrëveshjeje kontraktuale.

Në Google, komenti i një konsumatori të kënaqur i publikuar për Magic Palace përfshin edhe një foto të Luftar Hysës, duke buzëqeshur dhe me pjata në dorë. GRC-ja thotë edhe që e kanë parë atje gjatë hetimit të tyre.

Tre referendume negative

Hapja e Magic Palace ishte e diskutueshme në Kahnauake. Popullata e rezervatit ka votuar tri herë kundër hapjes së kazinove përmes referendumeve ndër vite. Megjithatë, struktura arriti të ngrihej falë një projekti pilot për videolotaritë, të cilat herët a vonë duhet të rivlerësohen nga këshilli i grupit (këshilli informoi La Presse se nuk donte ta diskutonte këtë çështje publikisht, sepse është debat i brendshëm i komunitetit).

Në një intervistë me The Canadian Press, një përfaqësues i këshillit tha vitin e shkuar se shumica dërrmuese e klientëve vjen nga jashtë rezervatit. Projekti pilot parashikonte që aktiviteti t'i paguante honorare këshillit të grupit. Magic Palace bëri një dhurim shtesë prej 1 milion dollarësh për komunitetin vitin e shkuara për ndërtimin e një qendre të re kulturore.

Aktivitetet e Magic Palace mbikëqyren nga Komisioni i Lojërave të Kahnauakes, i cili imponon kontrolle të rrepta që synojnë kufizimin e çdo përpjekjeje për përvetësim financiar: gjatë hyrjes, çdo klient duhet të tregojë letërnjoftimin dhe një adresë dhe të japë një numër aktiv telefoni dhe t'i merret fotografia për qëllime identifikimi.

Por në denoncimin e paraqitur para gjykatësit, GRC-ja përmend se një pjesë e fondeve të transferuara nga aktiviteti rrëshqet në të çara. Qendra e Analizës së Transaksioneve Financiare dhe Raporteve të Kanadasë (CANAFE), agjencia federale përgjegjëse për monitorimin e sektorit financiar, ngriti alarmin në mars të vitit 2023 në lidhje me "aktivitetet e mundshme të pastrimit të parave, sidomos Rezervati Indian i Kahnauakes në Shqipëri nga Luftar Ali Hysa".

Një raport i dërguar në GRC-ja nga organizmi që ka nën shënjestër Luftar Hysën, por edhe kompaninë e tij të ndërtimit në Shqipëri, Valona Konstruksion, si edhe sipërmarrësin mohok Stenli Miou, që shfaqet si pronar i Magic Palace.

Kujtojmë se Hysa ka vizituar disa herë zyrën e kryeministrit Rama në Shqipëri.

 

Lexo më shumë: Luftar Hysa i Sinaloas u prit në Kryeministri

 

Raporti i CANAFE përmend një sërë transaksionesh që konsiderohen të dyshimta:

- nga viti 2013 deri në vitin 2019, Luftar Hysa ka marrë më shumë se 209 transferta bankare në vlerë totale prej 3.2 milionë dollarësh nga Meksika, të cilat i ka ezauruar menjëherë nëpërmjet transfertave ose çeqeve;

- restoranti Mirela, të cilin Hysa thotë se është pronar, ka dërguar 28 milionë dollarë në Shqipëri, Meksikë, Britani të Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Itali në më pak se një vit, nga viti 2019 deri në vitin 2020;

- Stenli Miou dhe kompania e ndërtimit të familjes Hysa në Shqipëri përmenden në "më shumë se 50 raporte të aktiviteteve të dyshimta" nga CANAFE, me një vlerë totale prej 28 milionë dollarësh kanadezë;

- ndërmjet vitit 2018 dhe 2020, Stenli Miou ka dërguar 1.3 milionë dollarë në kompaninë e ndërtimit të familjes Hysa në Shqipëri;

- në vitin 2020, Restorant Mirela ka kryer një seri transaksionesh të cilësuara të dyshimta me vlerë 85,000 dollarë për bashkëshorten e zotit Hysa.

Në përpjekje për të mësuar më shumë rreth Luftar Hysës, oficerët e policisë e ndoqën biznesmenin teksa ai po ngiste SUV-in e tij Rolls-Royce Cullinan, me vlerë më shumë se gjysmë milioni dollarë. Sipas raportit të GRC-së, zoti Hysa e ka zbuluar që po e ndiqnin, është përballur me oficerin e policisë që e ndiqte dhe më pas ka filluar ai ta ndiqte oficerin, duke ndryshuar rolet.

Bazuar në tërë këto informacione, GRC-ja thotë se ka baza për të dyshuar se Luftar Hysa është i përfshirë në pastrimin e parave. Megjithatë, forcat policore nuk pranuan të komentojnë më tej për këtë raport.

La Presse e kontaktoi biznesmenin në një nga shtatë numrat e tij të regjistruar në Kebek në përpjekje për të marrë një shpjegim. Nuk morëm asnjë përgjigje prej tij. Djali i tij Fabjon Hysa, i cili figuron si zv/president i një prej bizneseve të lojërave të fatit të familjes, tha se nuk mund t'i ndihmonte dot. Një grua që iu përgjigj një prej numra të tjerë të biznesmenit tha se ai ishte jashtë shtetit dhe nuk ishte e autorizuar të na jepte një adresë email-i për ta kontaktuar zotin Hysa.

As dy avokatët e zotit Hysa në Kebek nuk pranuan të komentojnë pasi morën një listë të detajuar pyetjesh. Stenli Miou nuk iu përgjigj mesazheve tona./La Presse - Syri.net

 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco