SYRI TV/ Gjykata refuzon sërish lirimin e Fredi Belerit, avokati: Drejtësia e dobët para pushtetit

14:48, 21/08/2023
A+ Aa A-

Fredi Beleri do të vijojë të qëndrojë në qeli duke iu pamundësuar kështu betimi edhe marrja e detyrës si kryebashkiak i Himarës. Sot gjykata ka refuzuar sërish kërkesën e avokatëve për lehtësimin e masës së sigurisë. Mbrojtja e Belerit ka akuzuar gjykatën se po vepron me urdhra politikë nga ekzekutivi.

Nga SYRI TV

Gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka refuzuar sërish kërkesën e avokatëve, duke lënë në qeli Fredi Belerin. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në një masë më të lehtë, por kjo kërkesë u rrëzua për të disatën herë. Pas konfirmimit të arrestit me burg, avokati i Belerit, Edmond Demo deklaroi se gjykata po vepron në bazë të urdhrave politike.

Më tej avokati shtoi, se në seancë u sollën prova të tjera për të cilat ata nuk ishin fare në dijeni, e këto bëhen me qëllimin që të mos lejohet betimi i Belerit si kryebashkiak, detyrë e cila vijon të mbahet nga Jorgo Goro i Partisë Socialiste.

Ky proces po shihet me interes të shtuar edhe nga Athina zyrtare. Ndryshe nga seancat e shkuara ku kanë qenë diplomatë grekë të pranishëm, në këtë seancë për të garantuar mbrojtjen e Fredi Belerit i pranishëm ishte edhe një avokat grek. Ai po mbahet në qeli që prej datës 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, ku dhe fitoi bashkinë e Himarës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco