Djali sekser i anëtares së KLP u konfliktua me viktimën se nuk i dha apartamentin shpërblim, përdorte emrin të ëmës për ndërmjetësime

Djali sekser i anëtares së KLP u konfliktua me viktimën se nuk i dha apartamentin shpërblim, përdorte emrin të ëmës për ndërmjetësime

21:15, 07/08/2023
A+ Aa A-

Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen e rëndë të ndodhur rreth orës 11:45 të mesditës në ambientet e një kancelarie në Vlorë, ku humbi jetën 55-vjeçari Armando Meshau.

Viktima ndodhej në kancelarinë nga ku u nxor i pajetë për të printuar disa dokumente, por është konfliktuar me autorin 33-vjeçar, të identifikuar si shtetasi Rei Meta, shkruan A2CNN.

Mësohet se autori dhe viktima kanë pasur një konflikt të pazgjidhur, që ka qenë i mbartur prej mëse 8 muajsh. Nga hetimet zbulohet se 33-vjeçari kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndjerë i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë.

Rei Meta kishte premtuar zgjidhje për pronën e Armando Meshaut, duke përdorur emrin e të ëmës, që është anëtarja e KLP-së Nurihan Seiti Meta.

Në këmbim i riu do të përfitonte një apartament që do t’i falej nga ndërtuesi i njohur në qytetin bregdetar. Por, Meta kishte dështuar në rolin e tij si sekser dhe 55-vjeçari kishte zgjidhur çështjen që e shqetësonte duke shfrytëzuar lidhjet me palë të treta.

Pavarësisht kësaj, 33-vjeçari pretendonte se për “punën” që kishte marrë përsipër, ndërtuesi duhet t’i falte apartamentin dhe kjo ka nxitur konfliktin mes tyre, i cili u mbyll tragjikisht këtë të hënë.

I ndjeri kishte refuzuar t’ia kalonte në pronësi apartamentin Rei Metës dhe kur janë përballur në dyert e kancelarisë debati mes tyre ka degjeneruar në fyerje dhe përdorimin e grushteve.

Meshau ka ofenduar 33-vjeçarin duke i thënë se nuk ka për ta marrë apartamentin, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur me dhunë fizike, duke e qëlluar dy herë me grusht në fytyrë 55-vjeçarin, i cili ra pa ndjenja në tokë, duke humbur jetën në vend.

Sakaq, autori Rei Meta u arrestua nga policia e Vlorës pak pasi ndodhi ngjarja.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 11:45, në një qendër interneti, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet 2 shtetasve, për shkak të dhunës fizike të ushtruar ndaj tij (goditjeve me grushte), humbi jetën shtetasi A. M., ju informojmë se: Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të këtij rasti, shtetasit R. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, i cili aktualisht është shoqëruar në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, njoftoi policia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco