Dëshmia në SPAK/ Ciaffaglione kryqëzon Zoton dhe Mërtirin

Dëshmia në SPAK/ Ciaffaglione kryqëzon Zoton dhe Mërtirin

20:46, 06/08/2023
A+ Aa A-

CNA ka publikuar rreth 16 faqe dokumentacion të akuzës së SPAK për inceneratorin e Tiranës, ku janë komunikimet e institucioneve të ndryshme, ministrive, Bashkisë së Tiranës, email-e, shfaqja e Klodian Zotos, e Mirel Mërtirit dhe njerëzve të inceneratorëve për të siguruar kontratën koncesionare për landfillin dhe icneneratorin e Tiranës.

Gjithashtu është publikuar edhe fakti i përfitimit që ka pasur Alqi Bllako, një makineri rreth 120 mijë euro, e cila është blerë për llogari të fabrikës së babait të tij, por është paguar nga bashkëshortja e Klodian Zotos pak javë para se të firmosej kontrata koncesionare për inceneratorin e Tiranës.

Sipas dokumentit zyrtar që SPAK ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, rezulton se janë marrë në pyetje persona, të cilët kanë qenë administratorë dhe aksionerë të kompanisë.

CNA ka publikuar dëshminë e Giuseppe Ciaffagliones, i cili është pyetur nga autoritetet italiane të drejtësisë në datën 22 qershor të vitit të shkuar me letërporosi, kjo e ekzekutuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Image

SPAK, pasi ka sekuestruar një sasi dokumentash të kompanisë “Integrated Energy BV SVP” në Tiranë, ka pyetur shtetasin Giuseppe Ciaffaglione në lidhje me nënshkrimin e kontratës midis “Integrated Energy BV SVP” dhe shoqërisë “Integrated Technology Services” të Klodian Zotos në dhjetor të vitit 2017, por Ciaffaglione deklaron se nuk është nënshkruar nga ai kjo kontratë dhe po e shikonte këtë kontratë për herë të parë.

Po ashtu, ai ka deklaruar se nuk ka dijeni që shoqëria e Klodian Zotos “ITS” të ketë furnizuar apo sjellë materiale për punime te kantieri i inceneratorit të Tiranës.

Por sipas SPAK, në analizën e librave të shitjeve të shoqërisë “Integrated Energy BV SVP” rezulton se është deklaruar në organet tatimore se është bërë shitje ndaj Bashkisë së Tiranës në vlerën 5.8 miliardë lekë, pra shifra që është deklaruar shpesh nga mediat, të cilat kanë publikuar skandalin e inceneratorëve, rreth 60 milionë dollarë apo rreth 60 milionë euro, pasi vlera e këmbimit sot është thuajse e njejtë.

Nga analiza e librave të shitjeve, sipas faqes 17 të SPAK, theksohet se gjithashtu Bashkia e Kavajës ka paguar një shifër prej rreth 1.3 milionë dollarësh. Edhe Bashkia e Vorës rezulton që të ketë paguar një shumë rreth 180 mijë dollarë.

Më tej, theksohet se kompania e inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy” ka marrë faturë dhe ka deklaruar në organet tatimore vlerë punimesh rreth 28 milionë dollarë nga kompania “Integrated Technology Services” e Klodian Zotos.

Pra, Giuseppe Ciaffaglione deklaron qartë se nuk ka firmosur kurrë dhe nuk ka marrë shërbim nga Klodian Zoto, por të dhënat zyrtare të SPAK tregojnë se nga rreth 60 milionë dollarët që kompania e inceneratorit të Tiranës ka marrë nga bashkitë e Tiranës, Vorës dhe të Kavajës, rreth 28 milionë dollarë janë kaluar si fatura shërbimi nga shoqëria “ITS” e Klodian Zotos.

Në dokumente thuhet janë kontrolluar llogaritë bankare nga SPAK të kompanisë “Integrated Energy” në bankat e nivelit të dytë dhe qartësisht tregohet se janë paguar shuma edhe më të mëdha, sipas vlerave të renditura 30 milionë dollarë dhe rreth 6.7 milionë euro.

Këto janë shuma që kompania “ITS” e Klodian Zotos ka përfituar nga kompania e inceneratorit “Integrated Energy BV SVP”.

Vlera shkon rreth 36.8 milionë dollarë, të siguruara nga kompania e Klodian Zotos nëpërmjet kompanisë së inceneratorit të Tiranës, pagesa të kryera këto sipas vlerave që janë siguruar në bankat e nivelit të dytë.

Nga rrethanat, thekson SPAK, rezulton një mospërputhje e dukshme e shumave monetare të paguara nga koncesionari i Tiranës, në drejtim të shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto, krahasuar me faturimet e kryera nga shoqëria.

Këto janë disa të dhëna që tregohen nga SPAK, e cila më pas në faqen 17 të kërkesës ka nxjerrë edhe detaje në lidhje me shërbimet që ofronte shoqëria ITS e Klodian Zotos.

Sipas SPAK, nga aktet e administruara në shoqërinë e Klodian Zotos “Integrated Tecnology Services” në lidhje me koncesionin, ka përfituar prej saj nga fatura tatimore të falsifikuara rreth 5 milionë euro, duke paraqitur dhe deklaruar fatura për punime të kryera si nënkontraktor i shoqërisë “Integrated Tecnology Services” me subjekte fiktive, të cilët rezultonin të regjistruar si operatorë ekonomikë, por nuk kanë kryer asnjëherë asnjë aktivitet real tregtar.

Në rastin konkret, thekson SPAK, Klodian Zoto ka deklaruar punime të kryera për llogari të kompanisë koncesionare, në bazë të kontratave të falsifikuara, duke paraqitur një marrëdhënie kontraktuale mes shoqërisë së tij “Integrated Tecnology Services” dhe shoqërisë koncesionare, por në të vërtetë rezulton se Zoto dhe Mërtiri janë aksionerët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy BV SVP” që ka fituar kontratën koncesionare për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimin e venddepozitimit ekzistues në Tiranë.

Duke përdorur skemën e falsifikimit janë përfshirë disa kompani, të cilat SPAK i ka qartësuar dhe ka mundur të sigurojë edhe dokumentat e shitjeve të falsifikuara të kryera në një efekt zinxhir, që shkon nga inceneratori i Tiranës, te ITS-ja e Klodian Zotos dhe disa kompani të tjera.

Rasti Ciaffaglione është më flagranti dhe deponimet e tij ai qartëson, tregon se nuk ka firmosur kontrata, nuk ka firmosur dokumenta, të cilat janë sipas tij dhe duket qartazi se SPAK i ka provuar të falsifikuara, pra firma e tij është përdorur nga Klodian Zoto, Mirel Mërtiri apo persona të tjerë për të kryer pagesa fiktive për shërbime të padhëna, apo punime të pakryera.

Giuseppe Ciaffaglione ka qenë administrator i inceneratorit të Tiranës, është edhe aksioner i saj me vlerën 20%, por ai ka deklaruar se këto aksione nuk i ka blerë dhe nuk ika si vlerë monetare, por i janë dhënë për shkak të kapaciteteve teknike që ai zotëronte, duke njohur mirë fushën në të cilën po operohej.

CNA.al do të vijojë me publikim e dokumentave se si lidhen subjektet që janë përfshirë në falsifikimin e dokumentave me të njejtën skemë, mesa duket siç ka funksionuar në Elbasan apo në Fier, ku hapen kompani fiktive për të kaluar fatura dhe për të nxjerrë para në “të zezë”, para cash, të cilat SPAK ende është duke hetuar për të zbardhur ku kanë shkuar, pa folur për shumat e tjera monetare që janë me vlerë miliona euro, pagesa të bëra drejtëpërdrejtë për mediat, apo pagesa fiktive për operatorë, tregtarë, me fatura volume punimesh të falsifikuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco