KLGJ ka reaguar lidhur me sulmin me tritol në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër.
KLGJ në një reagim për SYRI TV , shprehet se ka marrë kontakte me gjyqtarin dhe me organet ligjzbatuese, që po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë përmes një deklarate, KLGJ thekson se “përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.
© SYRI.net