'Kemi frikë se kur të dalë, do na vrasë si Dan Hutra'/ Nëna kërkon burg përjetë për vrasësin e së bijës

'Kemi frikë se kur të dalë, do na vrasë si Dan Hutra'/ Nëna kërkon burg përjetë për vrasësin e së bijës

11:57, 26/07/2023
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit ka dënuar me 28 vite burg Agron Tanushin, autorin e vrasjes së Jetmira Hasanit. Ai e vrau kunatën e tij, 34-vjeçaren Hasani për shkak të konfliktit për pronësinë e banesës ku jetonin si autori dhe viktima.

34-vjeçarja ishte divorcuar nga vëllai i Agron Tanushit, por vazhdonte të jetonte në shtëpinë e tyre në katin e dytë.

Avokati i familjarëve të Hasanit deklaroi për mediat pas vendimit se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë pasi kërkojnë burg të përjetshëm për autorin.

“Në Gjykatën e Lartë do të kërkojmë të njëjtën gjë, siç shprehen familjarët deri në atë të përjetshëm. Ne kërkojmë drejtësi. Sot Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Gjykatës së shkallës së Parë nga 23 vite në 28 vite. Nuk kishte asnjë koncept që t’u dënonte me 23 vite. Duhen akoma dhe më shumë. Duam drejtësi”, tha avokati.

Autori i ngjarjes ka qenë i pranishëm në seancë dhe i ka qëndruar thënieve të avokatit ku kanë kërkuar që të qëndrojë në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, që i jepte atij vetëm 23 vite burg.

Të pranishëm në seancë ishin edhe familjarët e Hasanit. Mamaja e viktimës foli për mediat ku kërkoi dënim të përjetshëm për autorin e vrasjes së vajzës së saj.

“Unë, po nuk u dha dënim i përjetshëm, me mua janë duke luajtur, nuk janë duke dhënë vendimin që duhet. Mua po më rastis të bëj sikur me Dan Hutrën, që një e vrau, i vrau tre të tjerë sa u lirua. S’jemi të kënaqur me këtë vendim. Me ma lënë shteti mua, unë dënimin ia jap vet9. Shteti mua nuk ma le. I përjetshëm, jo me vite dhe të më dalë nesër… se ku i dihet nuk më shan mua në rrugë të madhe e nuk po më vret mua prapë në rrugë të madhe. Uuuu, me mujt dënimin ia jap unë. Ndoshta ma jep ai se është më i zoti, ai është mësuar me vra”, tha ajo.

Ajo tha se mban mbesën, vajzën e Jetmirës, që kur ka lindur, e cila vitin tjetër mbush 12 vjeç. Mamaja e Jetmira Hasanit hodhi akuza ndaj familjes Tanushi, ku kishte të martuar të bijën.  

“Janë krejt në bashkëpunim që kjo ngjarje të bëhet”, tha ajo. “Ajo është vrarë në shtëpi të vet pa i bërë kurrkujt një të keqe. Veç me pas bërë mirë, e mira ka për t’i vrarë”, shtoi më tej ajo.

Po ashtu, bëri të ditur se familja Tanushi ka shitur shtëpinë, e cila është zanafilla e konfliktit.  

“Me çfarë të drejtash e ka shitur Agron Tanushi shtëpinë? Se në shtëpi ka hise edhe vajza. Vajzën e rris unë në Laknas dhe ata shesin shtëpinë. Ku i kanë marrë ata letra? Pasi është vrarë vajza është shitur shtëpia. Nuk e ka shitur Agroni brenda, por vëllai jashtë. Për banesën ka lindur konflikti”, tha ajo.

Jetmira Hasani u vra më 15 shtator të vitit 2020 në banesë. Shkak për krimin u bërë konflikti për pronësinë e banesës ku jetonin autori dhe viktima. 34-vjeçarja ishte divorcuar 4 vite më parë nga bashkëshorti i saj, vëllai i Tanushit, por vazhdonte të jetonte në shtëpinë e tyre, në katin e dytë.

Viktima pretendonte se prona i përkiste asaj dhe ky ka qenë edhe shkaku për konfliktet e vazhdueshme. Ditën që ndodhi vrasja, viktima po përgatitej të largohej nga banesa bashkë me vajzën e saj të mitur, por në këtë moment ka lindur një tjetër konflikt me Tanushin që degjeneroi në përdorimin e armës.

Më herët, autori dhe viktima kanë paditur njëri-tjetrin në polici, ndërsa në Korrik të 2020 gjykata kishte lëshuar edhe një urdhër-mbrojtje për të dyja palët. Sipas atij vendimi, Tanushi dhe Hasani duhet të mos fyenin ose kërcënonin njëri-tjetrin të paktën deri në 15 Dhjetor të atij viti, një urdhër që nuk vlejti për asgjë./tvklan.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco