Tritol banesës në Shkodër/ Zbardhet dëshmia e biznesmenit: Nuk kam konflikte me askënd

Tritol banesës në Shkodër/ Zbardhet dëshmia e biznesmenit: Nuk kam konflikte me askënd

11:56, 24/07/2023
A+ Aa A-

Zbardhen të tjera detaje rreth shpërthimit me lëndë plasëse sot në një banesë në Shkodër. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 24 korrikut në banesën e shtetasit Sokol Shpendi në Shkodër. Nga shpërthimi i tritoli mësohet se ka vetëm dëme materiale, ndërkohë që në banesë ndodhej familja e shtetasit Sokol Shpendi.

Sasia e eksplozivit është vendosur në derën hyrëse ndërsa shtëpia ndodhet disa metra më tutje dhe nuk ka pësuar dëme kjo edhe për shkak se sasia e lëndës plasëse sipas policisë vendore të Shkodrës ka qenë e vogël. Ndërkohë shpërthimi është dëgjuar në gjithë zonën, në lagjen “Tom Kola” në afërsi të spitalit rajonal të Shkodrës duke tronditur edhe banorët e tjerë që ndodheshin në gjumë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta të policisë duke nisur hetimet paraprake rreth kësaj ngjarje të ndodhur. Sipas burimeve shtetasi Sokol Shpendi prej vitesh është pronar i një hoteli në Shkodër. Deri më tani është ende e paqartë nëse sasia e lëndës plasëse lidhet me konkurrencën apo ka arsye të tjera. Gazetari Senad Nikshiqi raporton për BalkanWeb se është e paqartë se kush mund të jenë autorët që vendosën tritolin në banesën e Sokol Shpendit, ndërsa policia është duke hetuar për t’i identifikuar dhe më pas arrestimin e tij.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 3:45 të mëngjesit kur në rrugë nuk ka qenë askush, gjë e cila e ka ndihmuar autorët të largohen me shpejtësi. Në banesë tjetër në afërsi të vendit ku ndodhi shpërthimi ndodhet kjo kamer sigurie, e cila mund të ketë fiksuar autorët gjatë momentit të vendosjes së lëndës plasëse në shtëpinë e shtetasit Sokol Shpendi. Policia ka sekuestruar kamerën e sigurisë, por edhe të tjera në zonën përreth duke u munduar që të identifikojë autorët edhe pse pamja nuk është shumë e qartë për shkak të errësirës që në këtë rast favorizon personat që vendosën sasinë e tritolit.

Shtetasi Sokol Shpendi mësohet se në dëshminë e tij për policinë ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk e ka të qartë se kush mund të jenë autorët që vendosën lëndën plasëse ndërsa ka kërkuar që të zbardhet e plotë kjo ngjarje. Këto raste me shpërthim eksplozivi janë shtuar vitet e fundit në qytetin e Shkodrës. Shpesh herë kanë rezultuar ngjarje të vërteta ndërsa nuk janë të pakta rastet kur personat e përfshirë i kanë vendosur vetë me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria dhe për të kërkuar azil politik. Disa prej këtyre rasteve policia e Shkodrës i ka në hetim e sipër për mashtrim./BW

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco