VIDEO-SYRI TV/ SPAK arreston familjarisht Sokol Idrizajn, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal

18:33, 14/06/2023
A+ Aa A-

SPAK ka zbardhur skemën e plotë se si anëtarët e  2 grupeve kriminale ndaj të cilëve është lëshuar urdhër arresti për pastrim parash e kontrabandë, vepronin jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Francë. Referuar njoftimit zyrtar, bëhet me dije se këto grupe, pjesë e së cilit ishte edhe ish shoferi i Ardi Veliut, vidhnin sende të ndryshme dhe pastronin të ardhurat që rridhnin nga to brenda territorit francez dhe më pas atij shqiptar.

Më konkretisht, grupi i parë, pas grumbullimit të sendeve të vjedhura në territorin francez dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale, i depozitonin fillimisht në një hotel dhe më pas ua jepnin ato në dorëzim për t’i transportuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.

Ndërkohë, grupi i dytë në bashkëpunim me anëtarët e grupit të parë, kanë ushtruar transportonin shuma monetare në sasi të madhe, dhe të padeklaruara nga Shqipëria-Francë. Këto shuma të përdorura për blerjen e sendeve të luksit, kapin një shifër prej 724,386 euro, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, pa përfshirë këtu shumat në cash. Këto të fundit janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme dhe kapin vlerën e 2.113.000 Euro dhe 35.000 Franga.

Përveç këtyre shumave monetare personat nën hetim kanë transportuar edhe rreth 3.4 kg flori.

Produktet e luksit të blera në territorin francez nga këta persona janë transportuar në Shqipëri nga vetë ata si dhe bashkëpunëtorët e tyre nëpërmjet kompanive të transportit Francë-Shqipëri. Këto sende më pas janë futur kontrabandë në territorin shqiptar, të cilët janë shitur te persona të ndryshëm duke fshehur njëkohësisht edhe të ardhurat e fituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Mbi bazën e akteve të dërguara nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal me Nr. 56/2022.

Gjithashtu, bazuar në aktet e dërguara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Durrës-Kavajë, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal me Nr. 77/2022.

Pas regjistrimit të procedimeve penale objekt hetimi, janë kryer një sërë veprimesh hetimore me qëllim mbledhjen e provave, dhe identifikimin e autorëve të dyshuar që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal. Deri në këtë fazë është konkluduar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova për konsumimin e elementëve të veprave penale: ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 287 dhe 28/4 të Kodit Penal; ‘Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare’, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 170/c dhe 28/4 të Kodit Penal; ‘Kontrabanda me mallra të tjerë’, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 174 dhe 28/4 të Kodit Penal; ‘Kontrabanda me mallra të tjerë’, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 174/2 i Kodit Penal; ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 178 dhe 28/4 të Kodit Penal; ‘Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë’, të parashikuar nga neni 179/a i Kodit Penal; ‘Fshehja e të ardhurave’, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 180 dhe 28/4 të Kodit Penal; ‘Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 244/1 i Kodit Penal; ‘Shpërdorim detyre’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit’, parashikuar nga nenet 298/2 dhe 298/2-22 të Kodit Penal; ‘Grupi i strukturuar kriminal’ parashikuar nga neni 333/a dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal’ të parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal, në ngarkim të personave nën hetim: A. M., A. D., F. B., S. I., El. I., Eg. I,. B. I., D. S., V. K., T. B., G.A., A. Sh., B. Mem., A. Xh., (alias U. Z.,), E. B., E. K., dhe N. B., sipas akuzave respektive.

Për kryerjen e veprimeve hetimore është bashkëpunuar ngushtësisht me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Hetimet rreth këtij procedimi penal janë kryer në kuadër të Skuadrës së parë të Përbashkët Hetimore me Autoritetet Franceze të Drejtësisë.

Nga hetimet paraprake të kryer në territorin francez nga autoritetet gjyqësore të këtij vendi, është mundur të evidentohet veprimtaria kriminale e kryer nga shtetas me origjinë shqiptare, të cilët dyshohet se vidhnin sende të ndryshme dhe pastronin të ardhurat që rridhnin nga to brenda territorit francez dhe më pas atij shqiptar.

Bazuar akteve të administruara rezulton se, grupet kriminale që kanë vepruar në kuadër të aktivitetit të paligjshëm kriminal, si në territorin francez, ashtu dhe atë shqiptar janë dy.

Në lidhje me grupin e parë, rezulton se personat nën hetim pas grumbullimit të sendeve të vjedhura në territorin francez dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale, pasi i depozitonin në një hotel, ua jepnin ato në dorëzim për t’i transportuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.

Në lidhje me grupin e dytë, rezulton se, personat nën hetim, në bashkëpunim me anëtarët e grupit të parë, kanë ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale duke transportuar shuma monetare në sasi të madhe, dhe të padeklaruara nga Shqipëria-Francë. Këto shuma të përdorura për blerjen e sendeve të luksit, kapin një shifër prej 724,386 euro, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, pa përfshirë këtu shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme që kapin vlerën e 2.113.000 Euro dhe 35.000 Franga. Përveç këtyre shumave monetare personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg sende të çmuara (flori). Produktet e luksit të blera në territorin francez nga këta shtetas janë transportuar në Shqipëri nga vetë ata si dhe bashkëpunëtorët e tyre nëpërmjet kompanive të transportit Francë-Shqipëri. Këto sende më pas janë futur kontrabandë në territorin shqiptar, të cilët janë shitur tek persona të ndryshëm duke fshehur njëkohësisht edhe të ardhurat e fituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Gjithashtu, në kuadër të aktivitetit të paligjshëm kriminal rezulton se personat nën hetim si dhe bashkëpunëtorët e tyre kishin mbështetjen dhe përkrahjen e disa punonjësve të policisë dhe doganës të planizuar me shërbim pranë PKK Port-Durrës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve të zhvilluara për interesa të procedimit penal me nr. 56, të vitit 2022 (bashkuar me procedimin penal nr.77/2022) ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal për 17 persona në hetim, gjykatë e cila me vendimin e saj Nr.56, datë 12.06.2023 ka vendosur pas kërkesës tonë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues ‘Arrest në burg’ parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 15 persona nën hetim, caktimin e masës të sigurimit personal ‘Arrest në shtëpi’ parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për 1 person nën hetim, dhe caktimin e masës të sigurimit personal ‘Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore’ parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për 1 person nën hetim.

Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

1 armë zjarri tip Pistoletë;

65.300 Euro;

9.900 USD kanadez;

60 ora dore (Hamilton, Omega, Rolex, Baume & Mercier, Cartier, Breitling, Hublot Geneve, Edifice etj);

1 (një) Aparat Fotografik;

9 Laptopë;

7 I-Pad;

3 Tablet;

28 Aparatë celularë;

2 kompjuter;

33 copë Bizhu;

2 monedha ari;

Sasi e konsiderueshme syze dielli të markave të ndryshme luksoze (DG, Louis Vuitton, Ray Ban, Giorgio Armani, Versace);

Sasi e konsiderueshme parfume dhe kremrash (Versace Dylon Blue, Dolce Gabbana, Hermes, Avon Glamour, Asabi; Channel Blue; Armani ‘Si’, Louis Vuitton; etj;

1 stilolaps Cartier;

2 Stilograf;

Karta të ndryshme bankare;

Veshje të markave të ndryshme si Dior, Christian Louboutin, Christian Dior, Hermes, Moncleir, Balenciaga, si edhe Canta apo Këpucë të firmave prestigjoze;

Autoritete Franceze të Drejtësisë kanë arrestuar 13 persona (në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore).

Gjatë kontrollit të ushtruar nga autoritetet franceze janë sekuestruar:

215 569 Euro;

115 copë Bizhu të ndryshme;

50 orë dore të markave të ndryshme luksoze etj;

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 12 masa sigurimi personal për personat nën hetim:

–A. M., A. D., F. B., S. I., El. I., Eg. I,. B. I., D. S., V. K., T. B., G.A., A. Sh.,

Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për bashkëpunëtorët e personave të arrestuar, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco