Vrasja në Shkodër/ Autori: Qëllova me automatikun e Petritit pas debatit

Vrasja në Shkodër/ Autori: Qëllova me automatikun e Petritit pas debatit

10:58, 04/05/2023
A+ Aa A-

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e shtetasit Petrit Vuksani në Shkodër. Autori i dyshuar Lekë Vuksani, që u arrestua nga policia pas 21 orësh, ka dhënë dëshminë e tij për policinë vendore të Shkodrës, por që në fund nuk ka pranuar që ta firmosë. Në bisedë të lirë me efektivët, 34-vjeçari ka deklaruar se njihej me viktimën pasi të dy janë nga Dukagjini dhe se i kishte marrë shtëpinë me qira prej disa kohësh. Muajt e fundit viktima dhe autori janë konfliktuar disa herë për qiranë, pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike, të cilat pronari Petrit Vuksani që mbeti i vrarë ka pretenduar se nuk janë paguar nga qiramarrësi Lekë Vuksani.

Ky i fundit ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe debatet, por pa e firmosur dëshminë e tij. Ja se çfarë deklaroi 34-vjeçari që ekzekutoi Petrit Vuksanin.

“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë, por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik, që nuk është i imi, por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i vrasjes në bisedën e lirë me efektivët. Pavarësisht pretendimit se arma e krimit është e viktimës, policia ka prova se armën e solli autori i dyshuar me vete dhe se ishte e tij.

Ndërkohë mësohet se vëllai i autorit të dyshuar ka bashkëpunuar që nga momentet e para me policinë vendore të Shkodrës sepse vëllai i autorit ka një miqësi të ngushtë me vëllain e viktimës. “Unë e kam njohur Petritin, por edhe vëllain e Petritit e njoh dhe e kam shumë shok. Unë nuk kam qenë aspak në dijeni për vrasjen që do të kryente vëllai im sepse po ta kisha ditur do bëjë maksimumin për ta parandaluar. Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur sepse kisha miqësi me familjen e viktimës”, deklaroi vëllai i autorit të dyshuar të vrasjes.

Ndërkohë një dëshmi ka dhënë edhe gruaja, në të cilën shkoi pas vrasjes shtetasi Lekë Vuksani. Autori i dyshuar i vrasjes e njihte atë zonën sepse më përpara në një shtëpi përballë kishte qëndruar me qira vëllai i tij. 34-vjeçari sipas dëshmisë së gruas pasi është futur në banesë me armë në dorë i ka thënë se nuk të bëj asgjë.

“Leka erdhi në banesën time dhe u fut brenda pasi më kërkoi t’i hapja derën. Kur u fut shoh që kishte armën në dorë dhe nuk dija si të veproja. Leka më tha se nuk do të bëj asgjë ndaj mos u tremb, kam ardhur vetëm për të qëndruar këtu. Nuk e dija se çfarë të bëja sepse ishte errësirë. Më tha që të mos tregoj se ndodhej aty deri sa erdhi policia dhe e arrestoi. Pavarësisht se më tha që të mos kem frikë, isha e frikësuar edhe pse gjatë kohës që qëndroi bëri një sjellje normale”, deklaroi gruaja në banesën e të cilës qëndroi për disa orë autori i dyshuar i vrasjes.

Petrit Vuksani kishte rreth një muaj i ardhur nga Anglia. 51-vjeçari shkoi për të nxjerrë jashtë Lekë Vuksanin që ia kishte dhënë shtëpinë me qira për shkak se nuk kishte kryer pagesat. 34-vjeçari u rikthye në banesë duke e gjetur të vetëm Petrit Vuksani ndërsa qëlloi ndaj tij me automatik duke e lënë të vdekur në vend, ngjarje që ndodhi më 2 prill rreth orës 12:15 në lagjen “Tom Kola” në Shkodër. Pas 21 orësh kërkimesh, policia e Shkodrës dhe Forcat Renea bënë arrestimin e autorit të dyshuar të kësaj vrasje Lekë Vuksani si dhe u sekuestrua edhe arma e krimit. Viktima dhe autori nuk kanë asnjë lidhje gjaku mes tyre edhe pse mbajnë të njëjtin mbiemër, vetëm njiheshin duke qenë se të dy janë nga Dukagjini.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco