VIDEO EKSKLUZIVE/ Masakra e Don Boskos, SYRI TV në brendësi të lokalit të Fatjon Muratit

16:32, 14/03/2023
A+ Aa A-

Largimi i mbesës 10 vjeçare nga rrezja e plumbave ka qenë veprimi i fundit I Mimoza Pajës para se plumbat e kallashnikovit të derdhura nga atentatori ti merrnin jetën në mënyrë të padrejtë në masakrën e Don Boskos. Objektivi i atentatorëve, djali i xhaxhait të Fatjon Muratit, ka qenë pas banakut, teksa në lokal ndodhej edhe vëllai i Fatjonit. SYRI TV ishte sot brenda ambienteve të lokalit, ku gjurmët e predhave dëshmojnë se atentati ishte në kufijtë e masakrës.

Nga SYRI TV

Ndodhem pikërisht në vendin e njëjtë ku ishte mbrëmjen e 11 marsit, 48-vjeçarja Mimoza Paja, e cila humbi jetën. Teksa u përball me plumbat që i morën jetën, veprimi i saj i fundit ka qenë shtyrja e mbesës së saj për ta mbrojtur dhe shpëtuar nga plumbat.

Largimi i mbesës 10 vjeçare nga rrezja e plumbave ka qenë veprimi i fundit i Mimoza Pajës para se plumbat e kallashnikovit të derdhura nga atentatori ti merrnin jetën në mënyrë të padrejtë.

Ky veprim ka rezultuar vendimtar për jetën vogëlushes, e cila mbeti e lënduar vetëm nga ciflat e xhamit në masakrën e ‘Don Boskos’, ku plumbat i morën jetën 58-vjeçares dhe lanë të plagosur 5 të tjerë që ishin në lokal duke parë ndeshjen orët e vona të mbrëmjes së të dielës.

Këto janë pamjet që kanë mbetur brenda ambientit të lokalit të familjes pas masakrës së 12 marsit në zonën e Don Boskos në Tiranë.

Siç duket nga pamjet që sjell SYRI TV, shenjat e predhave janë kudo në lokal, që nga muret tavolinat banaku e deri në tualet si një dëshmi e një atentati në kufijtë e një masakre.

Një prej banorëve që ka qenë në lokal ka rrëfyer jashtë kameras për SYRI TV se pasi makina tip BMW ndaloi para lokalit një nga atentatorët i maskuar ka derdhur dy karikatorë kallashnikovi në hyrje të lokalit, teksa njerëzit janë munduar të ulën.

Mimoza Paja ka qenë në këmbë përpara banakut, ndërsa shumica e klientëve në lokal ishin më shpinë nga hyrja, çka i kapi të papërgatitur.

Dëshmitari që kërkon të mbetet anonim rrëfen se në lokal përveç Sahit Muratit, xhaxhai i Fatjon Muratit që mbeti i plagosur aty ka qenë edhe vëllai i Fatjonit, dhe një djalë xhaxhai i tij.

Ky i fundit që mendohet se ka qenë objektivi kryesor i atentatit ka qenë prapa banakut dhe është ulur sapo është përballur me breshërinë e plumbave të atentatorëve.

Atentatorët pasi kanë kryer misionin e tyre gjakatar, janë larguar me makinën tip BMW përmes një rrugice anash lokalit për të vijuar më pas drejt Spitalit Traumës, në rrugën ‘Dritan Hoxha’ dhe në fund në autostradë drejt Vorës.

Kjo është fletorja e shënimeve të Mimoza Pajës ku linte porositë për pronarët, ndërsa në vendngjarje ndodhen ende shapkat, syzet dhe xhupi I të ndjerës.

Mbesa e saj 10-vjeçare sapo ka parë gjyshen të vrarë ka kërkuar ndihmë për ta dërguar në spital, teksa është afruar tek një fqinje ku i ka thënë se edhe vetë ka mbetur e plagosur.

Mes një jetë plot vuajtje e sakrificash, banorët Mimozën e kujtojnë dhe krahasojnë me një heroinë, e cila dhe në pak kohë të lirë që kishte mblidhte kanaçe, për të siguruar të ardhura shtesë për të rritur mbesën e saj.

Policia e Shtetit ndërkohë po heton pistën e larjes hesapeve si shkakun e kësaj masakre, teksa autorët janë endë në arrati dhe për këdo që jep informacion për vendndodhjet e tyre është ofruar një shumë prej 20 mijë eurosh.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco