Legjenda e futbollit anglez, Wayne Rooney, ka bërë parashikimin e tij për finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, duke theksuar se një tjetër triumf i Lionel Messit në skenën botërore do ta mbyllte përfundimisht debatin për lojtarin më të madh të të gjitha kohërave.
Ish-sulmuesi i Anglisë beson se nëse Argjentina arrin të ngrejë trofeun e Botërorit, Messi do të ketë arritur një sukses që nuk do të linte më vend për diskutime.
“Nëse Argjentina fiton Kupën e Botës, Messi do t’i japë fund të gjitha dyshimeve, apo jo? Do të mbyllet debati nëse ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Besoj se edhe tifozët e Cristiano Ronaldos duhet ta respektojnë këtë”, deklaroi Rooney.
Ish-futbollisti i Manchester United theksoi se ka pasur gjithmonë respekt për të dy ‘yjet’ e gjeneratës së fundit, Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, por sipas tij ajo që argjentinasi ka bërë në Botërorët e fundit është diçka e jashtëzakonshme.
“Gjithmonë kam thënë se mund të zgjedhësh cilindo prej të dyve. Por kur mendon për atë që Messi ka bërë në këtë Botëror, në atë të mëparshmin dhe tani, në moshën 39-vjeçare, kjo do t’u japë fund të gjitha debateve”, u shpreh Rooney.
Messi synon të udhëheqë Argjentinën drejt një tjetër trofeu botëror dhe të forcojë edhe më shumë trashëgiminë e tij në historinë e futbollit, ndërsa përballë do të ketë Spanjën në finalen e madhe të vitit 2026.
© SYRI.net