Lajmi i fundit

Live - Kuvendi në seancë plenare

Përmbytjet shkaktojnë kaos në Nju Jork në ditën e finales së Botërorit

Përmbytjet shkaktojnë kaos në Nju Jork në ditën e finales së Botërorit

18:45, 19/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe probleme serioze në transport në Nju Jork dhe në shtetin fqinj Nju Xhersi, vetëm pak orë para finales së Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet në stadiumin MetLife.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë lënë rrugë të tëra nën ujë, makina të bllokuara dhe kanë detyruar shumë qytetarë të kalojnë nëpër zona të përmbytura. Në disa raste, niveli i ujit ka arritur deri në lartësinë e gjoksit. Brenda pak orësh kanë rënë rreth 5 deri në 10 centimetra reshje, duke bërë që autoritetet të lëshojnë paralajmërime për përmbytje dhe madje edhe për tornado.

Pavarësisht situatës së krijuar, finalja e Botërorit nuk është në rrezik. Pjesa më e keqe e stuhisë kaloi gjatë natës, ndërsa kushtet e motit janë përmirësuar ndjeshëm të dielën. Megjithatë, mijëra tifozë mund të përballen me vështirësi për të mbërritur në stadium.

Problemet më të mëdha janë shfaqur në transport. Tri aeroportet kryesore të zonës, JFK, LaGuardia dhe Newark, kanë regjistruar qindra fluturime të vonuara ose të anuluara, pasi Administrata Federale e Aviacionit urdhëroi pezullimin e përkohshëm të operacioneve për shkak të stuhive.

Edhe rrugët janë prekur rëndë nga moti i keq. Autostrada Brooklyn-Queens Expressway u përmbyt pjesërisht, duke lënë disa automjete të bllokuara. Disa drejtues mjetesh u detyruan të qëndronin mbi çatitë ose kofano e makinave, ndërsa prisnin ndihmën e autoriteteve.

MetLife Stadium, në East Rutherford të Nju Xhersit, pritet të presë rreth 80 mijë tifozë për finalen e madhe, por autoritetet paralajmërojnë se shumë prej tyre mund të mbërrijnë me vonesë për shkak të problemeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Një lajm pozitiv lidhet me cilësinë e ajrit. Shirat kanë ndihmuar në uljen e tymit që kishte mbuluar qytetin, i ardhur nga zjarret masive në Kanada dhe që kishte shkaktuar reagime edhe nga presidenti amerikan Donald Trump. Sipas parashikimeve, tymi nuk pritet të jetë më problem gjatë finales.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco