Nga një djalosh francez që mbërriti në Bilbao në moshën 15-vjeçare pa ditur asnjë fjalë spanjisht, deri te një prej mbrojtësve kryesorë të kombëtares së Spanjës, historia e Aymeric Laporte është një rrugëtim i mbushur me sakrifica, karakter dhe vendime të rëndësishme.
Laporte, i lindur në Agen të Francës, mund të shkruajë një tjetër kapitull të madh në karrierën e tij, pasi pas triumfit në Euro 2024, tashmë synon edhe trofeun e Kupës së Botës 2026 me Spanjën.
Karriera e tij mori një kthesë të madhe kur, në moshën 15-vjeçare, u transferua në akademinë e Athletic Bilbaos. Një sfidë e vështirë për një adoleshent që nuk njihte gjuhën dhe duhej të përshtatej me një kulturë të re. Megjithatë, talenti dhe forca e tij mendore bënë që ai të binte shpejt në sy.
Një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij ndodhi në mars të vitit 2021, në shtëpinë e tij në Mançester. Laporte ishte duke darkuar me bashkëshorten Sara dhe mikun e tij Iban Markitz, kur telefoni i tij ra.
“Ne ishim të tre duke ngrënë qetësisht. Aymeric-ut iu ndezën sytë sapo pa telefonin. U pamë me Sarën dhe pyetëm veten se kush mund të ishte. Pas disa minutash u kthye dhe na tha: ‘Ishte Luis Enrique’”, ka treguar Markitz.
Ajo telefonatë ndryshoi gjithçka. Trajneri i atëhershëm i Spanjës, Luis Enrique, e kontaktoi Laporten për ta bindur të luante për kombëtaren spanjolle, pavarësisht se ai kishte qenë pjesë e ekipeve të moshave të Francës.
Vendimi për të përfaqësuar Spanjën i hapi një kapitull të ri në karrierën e tij. Laporte u bë një nga shtyllat e mbrojtjes së “La Roja-s” dhe tashmë është pranë një tjetër suksesi historik.
Nga një lojtar i ri që kërkonte vendin e tij në Bilbao, te një kampion Europe dhe kandidat për t’u shpallur kampion bote, rruga e Aymeric Laportes është shembull i një karriere të ndërtuar mbi këmbëngulje dhe besim.
© SYRI.net