Legjenda e tenisit botëror, Rafael Nadal, ka ndarë mendimin e tij për finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, duke shprehur besimin se kombëtarja e vendit të tij ka potencialin për të triumfuar, por duke pranuar se, në rast humbjeje, do të preferonte që ajo të vinte përballë Argjentinës.
Nadal vlerësoi cilësitë e të dyja skuadrave, duke theksuar se Argjentina di të shfrytëzojë pikat e saj më të forta, ndërsa Spanja ka treguar një rritje të vazhdueshme gjatë gjithë turneut.
“Besoj se secila skuadër do të luajë sipas karakteristikave të saj. Ne duhet të përqendrohemi te cilësitë tona, sepse janë të shumta. Nëse vazhdojmë të luajmë në nivelin që kemi treguar deri tani, do të jetë shumë e vështirë për Argjentinën”, deklaroi ai.
Sipas 22-herë kampionit të Grand Slam-it, Spanja mbërrin në finale në momentin më të mirë të saj, por përballë do të ketë një skuadër me eksperiencë, që di të fitojë ndeshje të mëdha.
“Argjentina është kampione bote dhe ka futbollistë që bëjnë diferencën në sfida të tilla. Megjithatë, unë besoj se do të fitojmë. Në një finale janë detajet e vogla ato që vendosin gjithçka”, u shpreh Nadal.
Ish-numri një i botës zbuloi gjithashtu se ka një marrëdhënie shumë të mirë me trajnerin e Argjentinës, Lionel Scaloni, për të cilin foli me fjalë vlerësuese.
“E njoh personalisht Scalonin dhe admiroj mënyrën se si i transmeton idetë e tij. Ajo që ka arritur me Argjentinën meriton respekt të madh. Për më tepër, kam shumë miq argjentinas.”
Në fund, Nadal bëri një deklaratë që ka tërhequr vëmendje:
“Sigurisht që do të bëj tifo me gjithë zemër për Spanjën. Por nëse duhet ta humbasim këtë finale, do të preferoja ta humbnim ndaj Argjentinës, për shkak të miqve që kam atje dhe respektit që kam për Scalonin.”
© SYRI.net