Finalja e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës ka vendosur përballë dy prej simboleve më të mëdha të Barcelonës: legjendën Lionel Messi dhe talentin e ri Lamine Yamal. Një dilemë e vërtetë për tifozët katalanas, të cilët janë ndarë mes së kaluarës dhe së ardhmes së klubit.
Një sondazh i zhvilluar mes tifozëve të Barcelonës tregon se shumica e tyre do të bëjnë tifo për Spanjën në finalen e kësaj mbrëmjeje. Rezultati ishte mjaft i ngushtë, me 59% të votave në favor të "La Rojas", ndërsa 41% u rreshtuan në anën e Argjentinës së Messit.
Arsyeja kryesore e zgjedhjes së tifozëve ishte prania e shumë futbollistëve të Barcelonës në kombëtaren spanjolle.
“Sigurisht që do të mbështesim skuadrën që ka më shumë lojtarë të Barcelonës”, ishte argumenti më i përsëritur nga tifozët.
Spanja paraqitet në këtë Botëror me tetë futbollistë të Barcelonës në listën e saj, ndërsa Lamine Yamal shihet si simboli i brezit të ri dhe një nga kandidatët për të fituar Kupën e Botës para se të mbushë 20 vjeç.
Nga ana tjetër, Lionel Messi mbetet figura më e madhe në historinë moderne të Barcelonës dhe synon të kurorëzojë karrierën e tij ndërkombëtare me një tjetër trofe botëror.
Kështu, për tifozët ‘blaugrana’, finalja nuk është vetëm një duel mes Spanjës dhe Argjentinës, por edhe një përballje simbolike mes legjendës së klubit dhe yllit që pritet të udhëheqë Barcelonën në vitet e ardhshme.
© SYRI.net