Deschamps sfidon kritikët: Gjejini të metat e kësaj France!

Deschamps sfidon kritikët: Gjejini të metat e kësaj France!

14:43, 01/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Franca po konsiderohet një nga favoritet kryesore për të fituar Botërorin 2026, por trajneri Didier Deschamps nuk dëshiron që euforia të pushtojë skuadrën e tij. Pas fitores bindëse 3-0 ndaj Suedisë, tekniku francez u bëri thirrje gazetarëve të kërkojnë edhe anët negative të ekipit të tij.

“Gjeni edhe ndonjë të metë, është një gjë e mirë. Nuk duhet të jetë gjithmonë gjithçka perfekte”, deklaroi Deschamps, duke u përpjekur të ulë entuziazmin rreth kombëtares franceze.

Franca dominoi ndaj Suedisë falë ‘dopietës’ së kapitenit Kylian Mbappé dhe golit të Barcola-së, duke siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave, ku më 4 korrik, në Filadelfia, do të përballet me Paraguain, skuadër që eliminoi Gjermaninë pas goditjeve të penalltive.

Megjithatë, Deschamps beson se ekipi i tij ka ende vend për përmirësim.

“Kemi aftësinë të krijojmë shumë raste për gol. E vetmja keqardhje është se nuk i shfrytëzuam më mirë mundësitë në pjesën e parë. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen shumë më herët”, u shpreh ai.

Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte përqafimi i Mbappé-së me trajnerin pas golit të parë. Deschamps ishte rikthyer pak ditë më parë në Francë për shkak të ndarjes nga jeta të nënës së tij dhe gjesti i kapitenit e emocionoi.

“Në aspektin personal, gjesti i Kylian-it më preku shumë. Ai është kapiteni ynë. Skuadra qëndroi e bashkuar dhe bëri gjithçka që duhej gjatë mungesës sime. Në njëfarë mënyre ishte më mirë që nuk isha aty, si për mua, ashtu edhe për ta”, tha trajneri francez.

Përballja me Paraguain i rikthen Deschamps kujtimet e Botërorit 1998, kur si kapiten i Francës eliminoi po këtë kundërshtar në 1/8-at falë “golit të artë” të Laurent Blanc në minutën e 113-të.

Megjithatë, ai nuk dëshiron të jetojë me të kaluarën.

“Nuk flas me lojtarët e mi për atë që kemi arritur në vitin 1998. Shumë prej tyre nuk kishin lindur ende ose ishin shumë të vegjël që ta kujtonin atë Botëror. Paraguai është një skuadër e fortë, që arriti të eliminonte Gjermaninë. Për t'u kualifikuar, do të duhet të zhvillojmë edhe një tjetër ndeshje të madhe”, përfundoi Deschamps.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco