Ancelotti para sfidës me Japoninë: Duhet të jemi të përgatitur për gjithçka, edhe për penalltitë

Ancelotti para sfidës me Japoninë: Duhet të jemi të përgatitur për gjithçka, edhe për penalltitë

09:30, 29/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka bërë thirrje për përqendrim maksimal para ndeshjes së fazës me eliminim direkt të Kampionatit Botëror 2026 kundër Japonisë, duke theksuar se skuadra e tij duhet të jetë e gatshme për çdo skenar që mund të sjellë kjo përballje.

Në konferencën për shtypin para ndeshjes, tekniku italian u shpreh se ndeshjet me eliminim direkt janë të paparashikueshme dhe kërkojnë përgatitje jo vetëm taktike, por edhe mendore.

"Për ndeshjen me Japoninë na duhen shumë gjëra, si nga ana mendore, ashtu edhe emocionale. Duhet të jemi të përgatitur për gjithçka që mund të ndodhë në një takim me eliminim direkt. Mund të ketë kohë shtesë, mund të ketë penallti. Jemi përgatitur për çdo aspekt. Besoj se skuadra është gati, e motivuar dhe plot besim", deklaroi Ancelotti.

Ai theksoi se në këtë fazë nuk ka mundësi korrigjimi.

"Është një ndeshje me eliminim direkt dhe nuk ka kthim pas. Brazili ka lojtarë inteligjentë, të cilët dinë si të përgatiten për sfida të tilla. Kam besim te skuadra ime", shtoi trajneri i "Seleçaos".

Ancelotti foli edhe për gjendjen fizike të Neymarit, duke lënë të kuptohet se ylli brazilian është rikuperuar ndjeshëm.

"Neymari po përmirësohet shumë mirë dhe ka bërë përparim të madh gjatë javës së fundit. Është për të ardhur keq që nuk ka mundur të stërvitet rregullisht gjatë gjithë kohës me ne, por sigurisht që mund të luajë më shumë se 15 minuta. Gjithçka do të varet nga rrjedha e ndeshjes", u shpreh ai.

Përballja mes Brazilit dhe Japonisë do të zhvillohet në Huston. Takimi i fundit mes dy kombëtareve u luajt në tetor të vitit të kaluar, kur Japonia përmbysi rezultatin dhe fitoi 3-2. Fituesi i kësaj sfide do të përballet në çerekfinale me fituesin e ndeshjes mes Norvegjisë dhe Bregut të Fildishtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco