Irani pret ende të mësojë fatin e tij në Botërorin 2026. Pas barazimit ndaj Egjiptit, kombëtarja iraniane e mbylli fazën e grupeve në vendin e tretë dhe, për momentin, do të ishte mes skuadrave që kualifikohen në fazën e 1/16-ave. Megjithatë, gjithçka varet nga rezultatet e tri ndeshjeve të mbetura: Kroaci-Ganë, Algjeri-Austri dhe RD e Kongos-Uzbekistan.
Nëse për RD të Kongos fitorja është e vetmja rrugë për kualifikim, situata është ndryshe në dy ndeshjet e tjera, ku një barazim do t'u mjaftonte të gjitha skuadrave të përfshira. Kjo ka ngritur frikën për një rezultat të dakordësuar mes ekipeve, i njohur në zhargonin futbollistik si "biskotë".
Pikërisht për këtë arsye, futbollistët iranianë lanë një mesazh në dhomat e zhveshjes së stadiumit "Lumen Field" në Seattle, duke iu drejtuar skuadrave që do të zbresin në fushë.
"Ne vijmë nga Irani, një vend që për mijëra vjet e ka vlerësuar nderin mbi fitoren. Për ne futbolli është më shumë sesa një garë rezultatesh, është një provë karakteri. Pikët mund t'i fitoni me çdo mënyrë, por respekti nuk fitohet kështu. Mund të kaloni një grup, por vetëm fryma sportive ju lejon të qëndroni krenarë përballë gjykimit të historisë. Loja e ndershme nuk është thjesht një rregull i futbollit, por shpirti i këtij sporti", thuhet në mesazhin e kombëtares iraniane.
Në fund, Irani falënderoi qytetin e Seattle për mikpritjen, si edhe tifozët iranianë për mbështetjen e pakursyer gjatë rrugëtimit në Botërorin 2026, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: "Irani, gjithmonë krenar."
Message from the Iranian national team at Seattle Stadium pic.twitter.com/rV8eQGz9zN
— IRIB (Islamic Republic of Iran Broadcasting) (@iribnews_irib) June 27, 2026
© SYRI.net