Lionel Mesi festoi sot 39-vjetorin e lindjes dhe urimet për legjendën argjentinase kanë ardhur nga të gjitha anët e vendit. Kapiteni i Argjentinës vazhdon të mbetet një ikonë e futbollit botëror, ndërsa ditëlindja e tij është shndërruar në një ngjarje të veçantë për tifozët dhe mediet sportive.
Kombëtarja e Argjentinës, e drejtuar nga trajneri Lionel Scaloni, i kushtoi një mesazh special “numrit 10” përmes rrjeteve sociale. “Gëzuar ditëlindjen, Leo. Njeriu që ndryshoi historinë e futbollit botëror”, ishte një nga mesazhet më domethënëse për kampionin argjentinas. Edhe bashkëlojtarët e tij në përfaqësuese i uruan: “Gëzuar ditëlindjen, kapiten”.
Mediet argjentinase i kanë kushtuar hapësirë të madhe kësaj dite. Gazeta sportive Olé u drejtua tifozëve me pyetjen: “Çfarë dhurate do t’i jepnit Leos?”, duke nxitur mijëra reagime dhe mesazhe urimi për yllin e futbollit.
Nga ana e tij, Lionel Messi publikoi në rrjetet sociale një video ku shfaqet duke u stërvitur intensivisht në palestër. Në sfond dëgjohej kënga “Tierra de Campeones” (“Toka e Kampionëve”), e interpretuar nga një grup argjentinas, një zgjedhje simbolike që pasqyron rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Mesit me fanellën e Argjentinës.
Edhe në moshën 39-vjeçare, Mesi vazhdon të jetë një figurë qendrore e futbollit botëror, ndërsa tifozët shpresojnë ta shohin ende duke shkruar kapituj të rinj në karrierën e tij të lavdishme.
© SYRI.net