Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 25-të e protestës qytetare, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

Formati i ri i Botërorit favorizon ‘biskotat’: pesë ndeshje konsiderohen në rrezik

Formati i ri i Botërorit favorizon ‘biskotat’: pesë ndeshje konsiderohen në rrezik

19:20, 24/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Faza e grupeve të Botërorit 2026 po shkon drejt fundit dhe, me hyrjen e turneut në ndeshjet me eliminim direkt, po shtohen edhe diskutimet rreth mundësisë së rezultateve të leverdishme për të dyja skuadrat, të njohura në zhargonin futbollistik si “biskota”.

Formati i ri i Kupës së Botës, ku kalojnë më tej jo vetëm dy skuadrat e para të çdo grupi, por edhe tetë vendet e treta më të mira nga 12 grupe, ka krijuar situata ku një barazim mund t’i kënaqë të dyja ekipet. Në shumë raste, katër pikë mjaftojnë për të siguruar kualifikimin, ndërsa edhe tri apo dy pikë mund të rezultojnë të mjaftueshme.

Një nga rastet më të dukshme është në Grupin D. Australia dhe Paraguai kanë nga tri pikë dhe, nëse barazojnë mes tyre, do të ngjiten në katër pikë, duke siguruar praktikisht kalimin në fazën tjetër.

E njëjta situatë paraqitet në Grupin J, ku Austria dhe Algjeria përballen direkt. Një barazim do t’i çonte të dyja skuadrat në katër pikë dhe shumë pranë kualifikimit.

Në Grupin F, situata është më e ndërlikuar. Holanda dhe Japonia kanë nga katër pikë, ndërsa Suedia ka tri. Një barazim mes Japonisë dhe Suedisë mund t’i kualifikojë të dyja skuadrat, por japonezët mund të përfundojnë përballë Brazilit në fazën e 1/16-ve.

Edhe në Grupin L ka llogari të ngjashme. Anglia dhe Gana kanë nga katër pikë, ndërsa Kroacia ka tri. Një rezultat i favorshëm mund të ndikojë drejtpërdrejt në çiftet e fazës tjetër.

Në Grupin H, një barazim mes Uruguait dhe Spanjës do t’u leverdiste veçanërisht uruguaianëve, ndërsa spanjollët do të mbeteshin favoritë për vendin e parë.

Përveç llogarive të kualifikimit, po marrin formë edhe përballje të mëdha në fazën me eliminim direkt. Një duel mes Brazilit dhe Holandës mund të ndodhë që në 1/16-at, ndërsa një tjetër përballje e shumëpritur mund të jetë ajo mes Portugalisë dhe Kroacisë, me ‘yjet’ Cristiano Ronaldo dhe Luka Modrić në skenën e madhe.

Megjithatë, skenari që do të trondiste turneun do të ishte një përballje e parakohshme mes Argjentinës dhe Spanjës. Nëse spanjollët do të humbnin ndaj Uruguait në ndeshjen e fundit të grupit, dy prej favoritëve kryesorë të Botërorit mund të përplaseshin që në fazën e 1/16-ve, në atë që shumëkush e kishte imagjinuar si finalen e madhe të turneut.

Edhe më tej, në horizont shfaqen përballje të mundshme spektakolare. Gjermania mund të përballet me Francën në 1/8-at e finales, duke sjellë një duel mes Jamal Musiala-s dhe Kylian Mbappé-së. Ndërkohë, Brazili i drejtuar nga Carlo Ancelotti mund të ketë përballë në fazat e mëvonshme edhe Erling Haaland, nëse Norvegjia arrin të vazhdojë rrugëtimin e saj në turne.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco