Kapiteni i Skocisë, Andy Robertson, ka shprehur optimizëm të madh përpara përballjes vendimtare ndaj Brazilit në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se skuadra e tij ka mundësinë të realizojë një sukses historik.
Robertson foli me respekt për kundërshtarin, duke e cilësuar Brazilin si një nga kombëtaret më të mëdha në historinë e futbollit dhe një nga më të dekoruarat në Kupën e Botës.
“Po luajmë kundër një vendi të madh, ndoshta më ikonikun në historinë e Kupës së Botës. Por kjo na jep edhe një mundësi për të realizuar ëndrrat tona dhe për të shkruar histori për vendin tonë,” u shpreh ai.
Mbrojtësi skocez theksoi se Skocia e ka fatin në duart e saj dhe se një rezultat pozitiv do t’i siguronte kualifikimin në fazën tjetër të turneut, duke e bërë ndeshjen edhe më të rëndësishme.
“Tani kemi mundësinë ta bëjmë këtë kundër Brazilit. E dimë se gjithçka varet nga ne dhe duhet të fokusohemi vetëm te loja,” shtoi Robertson.
Megjithatë, Skocia përballet me disa shqetësime para këtij dueli, pasi disa lojtarë kryesorë janë në rrezik pezullimi.
Aaron Hickey mungon për shkak dëmtimi, ndërsa Robertson, Kenny McLean dhe Findlay Curtis janë një karton i verdhë larg pezullimit.
Pavarësisht kësaj situate, kapiteni skocez theksoi se kjo nuk do të ndikojë në qasjen e tij në fushë.
“Të gjithë duhet të japin 100 për qind. Nuk mund të mendosh për pezullime në këtë fazë të turneut,” përfundoi kapiteni i skocezëve.
© SYRI.net