Ndërsa Kupa e Botës 2026 po dhuron emocione në fushë, në Meksikë ndikimi i kombëtares shkon shumë përtej futbollit. Sipas statistikave lokale, sa herë që “El Tri” zbret në fushë, niveli i vrasjeve në vend pëson një rënie të ndjeshme, duke e kthyer suksesin sportiv në një fenomen me ndikim të drejtpërdrejtë shoqëror.
Në stadiumin legjendar “Azteca”, ku nisi Botërori dy javë më parë, Meksika luajti pa presion ndaj Çekisë, pasi kishte siguruar tashmë kualifikimin si fituese e Grupit A falë sukseseve ndaj Afrikës së Jugut dhe Koresë së Jugut.
Por përtej rezultatit sportiv, ndeshjet e kombëtares kanë një rëndësi shumë më të madhe për vendin.
Sipas të dhënave të raportuara nga mediat vendase, kur Meksika luan në Kupën e Botës, numri mesatar i vrasjeve bie nga rreth 70 në ditë në afërsisht 30.
Fenomeni është vënë re prej vitesh, sidomos kur skuadra arrin fitore.
Në rast humbjeje, statistikat tregojnë se jo vetëm rriten aktet kriminale, por shtohen edhe rastet e dhunës në familje. Atmosfera festive e krijuar nga paraqitja pozitive e kombëtares ka ndikuar edhe në jetën politike e sociale të vendit.
Protestat kundër korrupsionit, që kishin pushtuar rrugët para fillimit të turneut, janë zbehur përkohësisht, ndërsa mijëra qytetarë mblidhen çdo mbrëmje në sheshet kryesore për të festuar sukseset e ekipit.
Presidentja e parë femër e Meksikës, Klaudia Sheinbaum, shpreson që aventura e skuadrës të vazhdojë sa më gjatë. Objektivi është të paktën çerekfinalja, fazë që Meksika e arriti në dy Botërorët e organizuar në shtëpi, në vitet 1970 dhe 1986.
Megjithatë, pas atmosferës festive fshihet një realitet i ashpër. Edhe pse numri i vrasjeve në vend pritet të jetë më i ulët krahasuar me periudhën e Botërorit të Katarit 2022, Meksika vazhdon të përballet me probleme të rënda të sigurisë.
Mijëra persona raportohen të zhdukur, ndërsa kartelet e drogës vazhdojnë të ushtrojnë ndikim të madh në zona të ndryshme të vendit.
Në këtë sfond, futbolli është kthyer në një nga të paktat arsye që bashkon kombin.
Dhe nëse Anglia do të përballet me Meksikën në fazën e 1/16-ave, nuk do të ketë përballë vetëm një skuadër të motivuar për sukses sportiv, por edhe një popull të tërë që sheh te kombëtarja një burim shprese dhe gëzimi në një realitet shpesh të vështirë.
© SYRI.net