Kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, ka shpërthyer me kritika të forta ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino, duke e cilësuar organizimin e Botërorit 2026 si "një katastrofë". Sulmuesi iranian u shpreh i pakënaqur me mënyrën se si janë trajtuar problemet e kombëtares së tij, të cilat sipas tij nuk janë zgjidhur që nga fillimi i turneut.
Vështirësitë për Iranin nisën që në fund të muajit maj, kur tensionet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit detyruan ekipin të zhvendoste bazën e tij nga Tucson i Arizonës në Tijuana të Meksikës.
Deklaratat e Taremit erdhën pas barazimit të tretë radhazi të Iranit, 1-1 ndaj Egjiptit, në një ndeshje ku një gol i iranianëve në minutat shtesë u anulua nga VAR-i. Ky rezultat e mban ende Iranin në garë për kualifikimin në fazën e 1/16-ve të finales, megjithëse fati i skuadrës do të varet nga rezultatet e ndeshjeve të tjera.
"Është një Botëror katastrofik, një katastrofë. FIFA duhej t'i zgjidhte të gjitha problemet këtu, por fatkeqësisht nuk ka arritur të zgjidhë asgjë që nga fillimi. Zoti Infantino erdhi në dhomat tona të zhveshjes pas ndeshjes së parë kundër Zelandës së Re dhe tha: 'Ky është vetëm fillimi...'. Por faza e grupeve përfundon nesër. Si është e mundur që ne duhet të udhëtojmë gjithmonë nga Tijuana?", deklaroi Taremi.
Sulmuesi, i cili në të kaluarën ka luajtur edhe për Interin, vijoi me akuza të tjera ndaj organizatorëve.
"Nuk është e drejtë. Për ne nuk është e drejtë. Nëse për FIFA-n është në rregull, mirë për ta. Por nuk është e drejtë. Kush do të na ndihmojë? Nëse duan të na eliminojnë, atëherë në rregull, do ta bëjnë. Por kjo nuk është e drejtë", përfundoi Taremi.
© SYRI.net