Katari është eliminuar nga Botërori 2026, por polemikat nuk kanë përfunduar për ish-organizatorit të Kupës së Botës katër vite më parë. Eliminimi i skuadrës nuk ka sjellë debat për paraqitjet në fushë, por për atë që dyshohet se ka ndodhur jashtë saj, veçanërisht në ndeshjen e fundit ndaj Bosnjës, në Seattle.
Sipas raportimeve të medieve britanike, përfshirë “The Telegraph”, federata e Katarit dyshohet se ka paguar persona për t’u paraqitur si tifozë të kombëtares së tyre. Këta “tifozë” raportohet se janë rekrutuar në SHBA dhe vende të tjera, duke përfituar bileta falas, udhëtime, akomodim në hotele dhe madje edhe paketa të plota me pajisje tifozësh, si shall, kapelë, syze dhe flamur të Katarit.
Federata e futbollit e Katarit kishte njoftuar më herët se rreth 1000 persona do të mbështeteshin financiarisht për të ndjekur ndeshjet, përmes sponsorëve si Qatar Airways, me qëllim krijimin e një atmosfere sa më të zjarrtë në stadiume. Sipas drejtuesve, kjo iniciativë kishte si synim mbështetjen e ekipit dhe krijimin e një ambienti pozitiv për lojtarët.
Megjithatë, sipas hetimeve të medias britanike, në ndeshjen ndaj Bosnjës situata ka shkuar më tej. Persona të rekrutuar, përfshirë studentë dhe banorë lokalë në SHBA, janë udhëzuar paraprakisht se si të silleshin në stadium dhe si të mbështesnin Katarin, pavarësisht se disa prej tyre nuk kishin qenë kurrë më parë në një ndeshje futbolli.
Një prej pjesëmarrësve anonimë ka treguar se kishte aplikuar online dhe kishte përfituar paketën e plotë, duke përfshirë udhëtimin dhe hotelin. Sipas tij, një ditë para ndeshjes tifozët e rekrutuar janë mbledhur në një hotel në Seattle, ku kanë marrë udhëzime dhe pajisje zyrtare të tifozëve.
Pavarësisht polemikave, në stadiumin “Lumen Field” mbështetja për Katarin ka qenë e kufizuar në numër, por e zhurmshme. Pas ndeshjes, trajneri Julen Lopetegui falënderoi tifozët për përkrahjen, duke theksuar se ata u përpoqën të jepnin maksimumin për ekipin.
Debati mbi këto praktika pritet të vijojë edhe pas përfundimit të turneut, duke shtuar edhe një tjetër kapitull polemik në Botërorin 2026.
© SYRI.net