Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, një nga protagonistët më të mëdhenj të këtij Botërori 2026, ka deklaruar se aktualisht është pa kontratë dhe në kërkim të një skuadre të re, pavarësisht paraqitjeve të tij të shkëlqyera në turne.
40-vjeçari ka qenë vendimtar në suksesin historik të Kepit të Gjelbër, duke mbajtur portën e paprekur në dy ndeshje ndaj Spanjës dhe Arabisë Saudite, rezultate që i kanë siguruar ekipit kualifikimin në fazën e 1/16-ve, ku do të përballen me Argjentinën dhe Lionel Messin.
Pavarësisht këtyre paraqitjeve, kontrata e tij me klubin portugez Chaves, nga liga e dytë, ka përfunduar në fund të sezonit 2025–26, duke e lënë atë aktualisht pa ekip.
“Jam aktualisht lojtar i lirë dhe shpresoj që të vijë diçka shpejt,” deklaroi Vozinha pas barazimit historik 0-0 ndaj Arabisë Saudite, duke e shfrytëzuar momentin për të tërhequr interes nga klubet e mundshme.
‘Gardiani’ i Kepit të Gjelbër theksoi gjithashtu krenarinë për rrugëtimin e skuadrës së tij në Botëror, duke vënë në pah karakterin dhe forcën e ekipit.
“E dimë që vijmë nga një vend i vogël, por kemi ardhur këtu për të konkurruar. Kemi treguar se kemi cilësi dhe se mund të përballemi me këdo. Ndoshta disa nuk besonin tek ne, por ne kemi ardhur për të treguar se kemi vlera të vërteta,” u shpreh ai.
Vozinha shtoi se futbollistët e Kepit të Gjelbër mund të luajnë në nivelet më të larta dhe në ligat më të forta europiane, duke e konsideruar këtë turne si një provë të madhe për ekipin.
Kepi i Gjelbër, një shtet me rreth 500 mijë banorë, është bërë kombëtarja më e vogël në histori që arrin fazën me eliminim direkt në një Botëror. Portieri 40-vjeçar theksoi se suksesi i tyre është një mesazh për vendet e vogla në futboll.
“Kemi treguar rezistencën e popullit të Kepit të Gjelbër, pasionin dhe shpirtin luftarak. Mund të jemi të vegjël, por kemi zemër të madhe,” tha ai.
Në fund, Vozinha pranoi se përballja me Argjentinën dhe Lionel Messin është një ëndërr për çdo futbollist, ndërsa e përshkroi kualifikimin si një moment historik për gjithë vendin e tij.
© SYRI.net