Festoi aq shumë ngjitjen në Bundesligë, sa shtyu edhe dasmën e tij! Historia e pazakontë e Jackson Irvine

Festoi aq shumë ngjitjen në Bundesligë, sa shtyu edhe dasmën e tij! Historia e pazakontë e Jackson Irvine

09:08, 29/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Jackson Irvine është një nga futbollistët më të veçantë të Kampionatit Botëror 2026, jo vetëm për atë që bën në fushë, por edhe për personalitetin e tij jashtë saj. Mesfushori australian njihet për stilin e veçantë, qëndrimet e forta shoqërore dhe angazhimin në mbështetje të komunitetit LGBTQIA+ dhe Palestinës.

Së fundmi, Irvine kritikoi ashpër FIFA-n pasi organizata i akordoi Donald Trump-it Çmimin e Paqes. Futbollisti, i cili është gjithashtu një zë i rëndësishëm në sindikatën botërore të futbollistëve FIFPRO, deklaroi se një vendim i tillë bie ndesh me përpjekjet për ta përdorur futbollin si një mjet për të sjellë ndryshime pozitive në botë. Ai shtoi se futbolli në nivelet më të larta po largohet gjithnjë e më shumë nga vlerat mbi të cilat është ndërtuar, duke përmendur edhe kufizimet e të drejtave të komunitetit LGBTQIA+ në Shtetet e Bashkuara.

Image

Megjithatë, një nga historitë më të veçanta të Irvine nuk lidhet me politikën, por me jetën e tij personale. Në sezonin 2023/24, ai ishte kapiteni që udhëhoqi St. Paulin drejt ngjitjes në Bundesligë. Festa pas suksesit historik ishte aq e madhe, sa mesfushori harroi pasaportën dhe nuk arriti të shkonte në Danimarkë për dasmën e planifikuar me partneren e tij prej shumë vitesh, Jemilla Pir.

"Kur ke festuar për dy ditë rresht dhe harron të marrësh pasaportën për në dasmën tënde", shkroi me humor partnerja e tij në rrjetet sociale.

Për fat, ceremonia nuk u anulua plotësisht. Çifti u martua një ditë më vonë në Kopenhagë, duke e kthyer këtë episod në një histori që bëri xhiron e medieve.

33-vjeçari mbetet një nga figurat më interesante të futbollit australian, ndërsa në sezonin e fundit zhvilloi 26 ndeshje me St. Paulin, duke regjistruar një asistim, edhe pse skuadra nuk arriti të mbijetonte në Bundesligë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco