Trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, ka reaguar ashpër ndaj akuzave se ndeshja mes Austrisë dhe Algjerisë ishte e manipuluar për të prodhuar një barazim që i kualifikonte të dyja skuadrat në fazën me eliminim direkt të Botërorit 2026.
Sfida përfundoi me rezultatin spektakolar 3-3, ku të dyja ekipet realizuan nga një gol në minutat shtesë, rezultat që la jashtë Iranin dhe nxiti reagime të shumta në rrjetet sociale, ku u hodhën pretendime për një marrëveshje mes palëve.
Megjithatë, Rangnick i hodhi poshtë kategorikisht këto akuza, duke theksuar se zhvillimi i ndeshjes ishte prova më e mirë se të dyja skuadrat kërkuan fitoren deri në fund.
"Në një ndeshje që përfundon 3-3, askush nuk mund të mendojë se kishte një marrëveshje, sidomos pas asaj që pamë në 90 sekondat e fundit. Tre minuta para fundit, nëse dikush do t'ju kishte thënë se do të ndodhte kështu, do ta kishit quajtur të çmendur", deklaroi trajneri austriak.
Ai shtoi se në katër dekada karrierë nuk i kujtohet një fund kaq dramatik.
"Kam rreth 40 vite si trajner dhe nuk mbaj mend një ndeshje me një përfundim kaq të paparashikueshëm. Shumica prisnin një 0-0 ose 1-1, por përfundoi 3-3. Nëse Alfred Hitchcock do ta kishte shkruar këtë histori, edhe ai do të dukej i çmendur", u shpreh Rangnick.
Trajneri insistoi se 15 minutat e fundit treguan qartë se as Austria dhe as Algjeria nuk po luanin për të ruajtur barazimin.
"Kushdo që e pa fundin e ndeshjes e kuptoi se të dyja skuadrat donin të fitonin. Askush nuk mund të thotë se në minutën e 93-të dikush planifikoi të shënonte vetëm për të mbajtur barazimin", theksoi ai.
Rangnick, i cili së fundmi vendosi të vazhdojë projektin me Austrinë duke refuzuar ofertën e Milanit, tani përgatit skuadrën për sfidën e fazës së 1/16 së finales, ndërsa debati rreth ndeshjes me Algjerinë vijon të jetë një nga temat më të diskutuara të Botërorit 2026.
© SYRI.net