Përfundimi katastrofik i Uruguait në Kupën e Botës 2026 ka sjellë pasoja të menjëhershme për futbollistët e Marcelo Bielsës.
Pas eliminimit që në fazën e grupeve, Federata Uruguaiane e Futbollit (AUF) vendosi t’i ndëshkojë lojtarët duke u hequr privilegjin e kthimit me avion privat.
Skuadra nuk arriti të fitonte asnjë ndeshje në turne, duke regjistruar dy barazime dhe një humbje vendimtare ndaj Spanjës.
Situata u rëndua edhe më shumë nga gafa e portierit veteran Fernando Muslera, i cili u zëvendësua në pushimin mes pjesëve pasi pësoi një gol të evitueshëm, si dhe nga dëmtimi i Manuel Ugartes, që u largua me barrelë dhe rrezikon të mungojë për një periudhë të gjatë.
Në ditët para sfidës vendimtare, mediat raportuan edhe për pakënaqësi të disa futbollistëve ndaj metodave të punës së Marcelo Bielsës, me pretendime për intensitet të lartë në stërvitje dhe kërkesa për ndryshime taktike.
Megjithatë, asgjë nuk ndryshoi dhe rezultati në fushë ishte zhgënjyes.
Sipas raportimeve të El Pais dhe Tenfield, Federata anuloi fluturimin çarter të planifikuar për kthimin e ekipit në Montevideo.
Në vend të tij, lojtarët dhe stafi u detyruan të udhëtonin me fluturime komerciale, të ndarë në grupe dhe me itinerare të ndryshme, një vendim që interpretohet si një mesazh i fortë i AUF pas dështimit në Botërorin 2026.
© SYRI.net