Faza e 1/16 së finales në Kupën e Botës 2026 nis këtë mbrëmje me përballjen mes Afrikës së Jugut dhe Kanadasë, dy kombëtare që për herë të parë në histori kanë arritur të kualifikohen në fazën me eliminim direkt të një Botërori.
Afrika e Jugut siguroi kalimin pas fitores 1-0 ndaj Koresë së Jugut në ndeshjen e fundit të grupeve, duke ndezur festën në vend.
Trajneri Hugo Broos, 74 vjeç, do të bëhet trajneri më i moshuar që drejton një ndeshje me eliminim direkt në historinë e Kupës së Botës.
"Bafana Bafana" arriti të rikuperohej pas humbjes 2-0 ndaj Meksikës në ndeshjen hapëse.
Nga ana tjetër, Kanadaja hyn në histori si vendi i parë organizator i një Kupe Bote që zhvillon një ndeshje të fazës me eliminim direkt jashtë territorit të vet.
Ekipi i Jesse Marsch e mbylli Grupin B në vendin e dytë pas humbjes 2-1 ndaj Zvicrës, rezultat që i dha fund një serie prej 10 ndeshjesh pa humbje.
Megjithatë, kanadezët lanë përshtypje shumë pozitive në fazën e grupeve, duke realizuar tetë gola.
Statistikat favorizojnë Kanadanë, por pritet një sfidë e fortë. Afrika e Jugut ka shënuar maksimumi një gol në secilën nga tetë ndeshjet e fundit, ndërsa gjashtë nga shtatë takimet e saj të fundit kanë përfunduar me më pak se 2.5 gola.
Edhe Kanadaja ka regjistruar një prirje të ngjashme, me dhjetë nga 13 ndeshjet e fundit që kanë prodhuar më pak se tre gola.
Në kampin afrikan, Thapelo Maseko është një nga lojtarët për t'u ndjekur, ndërsa te Kanadaja spikat Nathan Saliba, i cili ka qenë i përfshirë në tre gola në vetëm dy paraqitje në këtë Botëror.
Në letër, Kanadaja konsiderohet favorite, por Afrika e Jugut ka treguar se di të surprizojë dhe synon të vazhdojë ëndrrën në Botërorin 2026.
Sfida e parë me eliminim direkt nis në orën 21:00 dhe tashmë Afrika e Jugut dhe Kanadaja kanë publikuar formacionet zyrtare, që mund t’i shihni në tabelën e mëposhtme.

© SYRI.net