Sulmuesi i kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal, ka deklaruar se është në gjendje të mirë fizike përpara ndeshjes së 1/16-ave të Botërorit 2026 ndaj Austrisë, që luhet nesër, në orën 21:00. Talenti i Barcelonës është shprehur gjithashtu i bindur se “La Roja” mund ta fitojë të gjithë turneun.
“Jam shumë mirë, kam shumë dëshirë dhe jam plot entuziazëm. Disa nga kombëtaret e mëdha tashmë janë eliminuar dhe ne jemi plot shpresë në këtë moment. Jam në 80–90% të formës sime dhe gati për të luajtur 90 minuta ndaj Austrisë”, ka thënë Yamal në një intervistë për Cadena COPE.
“Fitorja është ajo që ka rëndësi”
Duke komentuar kritikat për lojën e Spanjës, 17-vjeçari theksoi se rezultati është prioriteti kryesor: “E rëndësishme është të fitosh. Sigurisht duhet të luash mirë, por nëse luan mirë dhe humbet, të gjithë jemi të trishtuar. Është e vërtetë që mund të përmirësohemi, sepse jemi shumë më lart se niveli që kemi treguar deri tani”.
Roli i tij te Spanja
Yamal foli edhe për rolin e tij në skuadër, duke theksuar se nuk ndien presion: “Pedri, Rodri dhe Nico janë lojtarë të jashtëzakonshëm, por unë jam ‘numri 10’ i Barcelonës dhe ai që mund të ndryshojë ndeshjen në çdo moment. Nuk e ndiej presionin, sepse presioni është kur nuk mund të bësh atë që kërkohet. Unë mendoj se mund ta bëj atë që më kërkohet”.
Besimi te titulli botëror
Sa u përket rivalëve për trofeun, Yamal u shpreh se nuk sheh asnjë skuadër të pamposhtur: “Nuk ka kombëtare të pamundura për t’u mposhtur. As Franca nuk është më e fortë se ne. Nuk na kanë mundur që nga Europiani. Faza e grupeve nuk ka lidhje me ndeshjet me eliminim direkt. Mendoj se do ta fitojmë Botërorin”, përfundoi ai.
© SYRI.net