Franca ka shkatërruar Suedinë dhe ka dhënë një tjetër shfaqje force që e vendos sërish mes favoriteve kryesore të Botërorit 2026. “Les Bleus” u kualifikuan në fazën e 1/8-ave pas një fitoreje bindëse 3-0, duke rritur entuziazmin si te tifozët ashtu edhe në mediet franceze, të cilat tashmë flasin për një skuadër që mund të shënojë një epokë të re në futbollin botëror.
Megjithatë, brenda kampit francez kërkohet kujdes dhe përmbajtje. Mbrojtësi Malo Gusto theksoi se euforia duhet të mbahet nën kontroll: “Të mendosh se jemi të pamposhtur është shumë pretencioze”.
Franca e re e Deschamps
Pavarësisht kësaj, statistikat flasin qartë në favor të Francës. Skuadra ka dominuar plotësisht ndeshjen ndaj Suedisë, duke kontrolluar posedimin dhe duke realizuar shumë më tepër pasime se kundërshtari. Franca nuk është më vetëm një ekip që mbështetet në kundërsulme, por tashmë luan me kontroll dhe dominim të plotë.
Një rol kyç në këtë transformim po luan Michael Olise, i cili zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer. Edhe pse nuk shënoi, ai regjistroi dy asistime perfekte për Barcola-në dhe Mbappe-në. Trajneri Didier Deschamps duket se ka gjetur pozicionin ideal për lojtarin e Bayernit, duke e vendosur më shumë në qendër të ndërtimit të lojës, ku ndikon si në organizim ashtu edhe në rikuperim të topit.
Ndryshimet në formacion nuk kanë ndikuar aspak në ekuilibrin e skuadrës. Edhe me rotacione si Barcola në vend të Doue, Franca ka ruajtur të njëjtin ritëm dhe kontroll në lojë.
Mbappe, lideri i padiskutueshëm
Kylian Mbappe vazhdon të jetë pika referuese e sulmit francez. Ai shënon rregullisht dhe tani ndihet më i lirë se kurrë në fushë, duke bashkëpunuar në mënyrë perfekte me Olise-n dhe Dembele-në. Një gol i anuluar për pozicion jashtë loje dhe një shtyllë e ndalën nga ‘tripleta’ ndaj Suedisë.
Ekuilibri dhe mbrojtja vendimtare
Sistemi i ri i Francës ka ngritur disa pikëpyetje për ekuilibrin mes sulmit dhe mbrojtjes, sidomos me përdorimin e dy mesfushorëve me profile të ndryshme si Tchouameni dhe Rabiot. Megjithatë, në këtë ndeshje Franca mbajti portën të paprekur, duke treguar stabilitet.
Në mbrojtje, rikthimi i William Saliba-s ka qenë vendimtar për forcimin e repartit mbrojtës. Franca tani përgatitet për përballjen me Paraguain, një kundërshtar që e ka befasuar Gjermaninë dhe që pritet të jetë një test shumë më i fortë.
© SYRI.net