Kreu i Komisionit të Gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina, është shprehur i kënaqur me efektin që kanë pasur ndryshimet e reja të rregullave të lojës, të cilat po zbatohen gjatë Botërorit 2026. Sipas ish-gjyqtarit të njohur italian, masat e marra kanë ndihmuar në uljen e kohës së humbur dhe në rritjen e minutave efektive të lojës.
Collina shpjegoi se, përpara nisjes së turneut, FIFA vendosi të aplikonte disa rregulla të reja me synimin për ta bërë futbollin më të rrjedhshëm dhe për të kufizuar ndërprerjet e panevojshme.
“U vendosën kufij të qartë kohorë për disa situata gjatë ndeshjes. Lojtarët kanë deri në pesë sekonda për të ekzekutuar goditjet nga porta dhe rivëniet anësore, deri në dhjetë sekonda për t’u larguar nga fusha gjatë zëvendësimeve, ndërsa futbollistët që marrin ndihmë mjekësore duhet të qëndrojnë një minutë jashtë fushës. Këto masa janë respektuar në pjesën më të madhe të rasteve dhe kanë rezultuar shumë të suksesshme”, deklaroi ai.
Sipas Collina-s, një tjetër objektiv ka qenë rritja e ritmit të lojës. Për këtë arsye, gjyqtarët janë udhëzuar të lejojnë kontaktet normale fizike dhe të mos ndërhyjnë me faulle të panevojshme që ngadalësojnë ndeshjen.
“Gjyqtarëve u është kërkuar të dallojnë kontaktet e zakonshme të futbollit nga ndërhyrjet që synojnë të pengojnë lojën. Kjo ka bërë që ritmi i ndeshjeve të jetë më i lartë dhe loja më tërheqëse”, theksoi ai.
Collina u ndal edhe te një prej situatave që është monitoruar me kujdes gjatë fazës së grupeve. Ai iu referua rasteve kur sulmuesit bllokojnë qëllimisht lëvizjen e mbrojtësve ose pengojnë portierin kundërshtar gjatë goditjeve standarde.
“Këto veprime janë analizuar me kujdes. Trajnerët dhe futbollistët janë informuar paraprakisht se gjyqtarët do t’i ndëshkojnë këto faulle, ndaj askush nuk duhet të habitet kur ato sinjalizohen gjatë ndeshjeve”, përfundoi drejtuesi i arbitrimit në FIFA.
© SYRI.net