Brazili mund të ketë një mungesë të rëndësishme në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2026 kundër Norvegjisë. Mesfushori Lucas Paqueta ka pësuar një dëmtim muskulor në kofshën e majtë dhe mbetet në dyshim për sfidën e radhës të Seleçaos, ka bërë të ditur Federata Braziliane e Futbollit.
Futbollisti i Flamengos ishte titullar në mesfushë përkrah Casemiros dhe Bruno Guimaraes në ndeshjen e fituar ndaj Japonisë, por nuk u rikthye në fushë pas pushimit mes pjesëve. Ai u zëvendësua nga Endrick, ndërsa ekzaminimet e kryera më pas konfirmuan dëmtimin.
Paqueta iu nënshtrua një rezonance magnetike, e cila evidentoi problemin muskulor në kofshën e majtë. Federata Braziliane nuk ka bërë të ditur kohën e rikuperimit, por pranoi se lojtari është në dyshim për ndeshjen e 1/8-ave, ku Brazili do të përballet me Norvegjinë të dielën në Nju Xhersi.
Ndërkohë, në stërvitjen e zhvilluar në Morristown, në Nju Xhersi, morën pjesë vetëm futbollistët që nuk u aktivizuan në ndeshjen ndaj Japonisë. Vëmendjen më të madhe e tërhoqi Neymar, i cili ishte figura kryesore e grupit në seancën stërvitore.
Lojtarët që zbritën në fushë kundër Japonisë, mes tyre Endrick dhe Gabriel Martinelli, autor i golit të fundit në atë sfidë, zhvilluan vetëm ushtrime rikuperuese në ambientet e brendshme, me stafin teknik që synon t'i ketë të gjithë në gjendjen më të mirë të mundshme për duelin ndaj Norvegjisë.
© SYRI.net