A mundet ta marrë veten BE-ja pas skandalit të korrupsionit me Katarin?

A mundet ta marrë veten BE-ja pas skandalit të korrupsionit me Katarin?

20:00, 12/12/2022
A+ Aa A-

Nga James Snell, SPECTATOR

Katër persona të lidhur me Parlamentin Europian janë arrestuar në atë që duket të jetë fillimi i një skandali të madh korrupsioni. Karriera politike e Eva Kailit, politikanes greke dhe njërës prej nënkryetarëve të Parlamentit Europian, tashmë është shembur. Ajo është pezulluar nga detyra nga presidentja e parlamentit, Robert Metsola- dhe është përjashtuar nga partitë dhe përkatësitë e saj të mëparshme.

Kaili është arrestuar dhe, sipas BBC, i është ngrirë pasuria. Është ende e paqartë nëse ajo është akuzuar për ndonjë gjë, disa media thonë se ka akuza mbi të, të tjera thonë se do ketë së shpejti.

Policia belge thotë se ka bastisur 16 prona dhe ka sekuestruar hard-disqe, pajisje dhe deri në 600 mijë euro në para të thata- pagesa të supozuara korruptive nga shteti i Katarit, të projektuara për të ndikuar në politikë. Një zëdhënës i Katarit ka mohuar akuzat.

Faktet janë të pakta në terren për momentin, por është mjaft e qartë se ajo që pretendohet është jashtëzakonisht shqetësuese. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se akuzat janë shumë serioze dhe ka bërë thirrje për krijimin e një organi të ri të etikës së BE-së.

Policia belge deklaron se të paditurit janë akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion. Sipas prokurorëve dhe shtypit belg, ky skandal përfshin korrupsion dhe ryshfete që synonin të ndikonin në punën e parlamentit dhe- më shqetësuese nga të gjitha ankesat- madje edhe në mënyrën e votimit të anëtarëve.

Eurodeputetët nuk janë të varfër. Ata nuk kanë asnjë arsye tjetër përveç lakmisë për të marrë paratë. Nëse vërtetohet, pasojat do të jenë të vështira të mbivlerësohen; e gjithë historia e votimit të kujtdo që është kapur në këtë lloj gjëje është e dyshimtë në mënyrë retroaktive. Çdo takim i mbajtur, çdo vendim që kanë marrë- gjithçka është e njollosur.

Një korrupsion i tillë jo vetëm që shkatërron institucionet dhe individët; ai shkatërron edhe aparencën e një debati dhe qeverisje të arsyeshme. Nëse Parlamenti Europian ka qenë i hapur për të marrë para nga një fuqi e huaj, cili nga funksionet apo gjykimet e tij do të jetë ndonjëherë i lirë nga dyshimet për korrupsion dhe pandershmëri?

Eurodeputetët kanë dhënë deklarata anonime për shtypin gjatë gjithë fundjavës, duke rënë mbi njëri-tjetrin sikur janë të neveritur dhe të tronditur. Ata janë të tmerruar- dhe kanë arsye të mira për këtë- nga ajo që mund të mendojnë votuesit. Nëse kjo mund të ndodhë një herë, votuesit dhe diplomatët e huaj do të  pyesin veten, si e dimë që nuk ka ndodhur edhe më parë, ndoshta shumë herë? Dhe si mund ta dimë se nuk mund të ndodhë më?

Reputacioni për marrëdhënie të drejta dhe ndershmëri, pasi humbet njëherë, nuk mund të rifitohet kurrë plotësisht. Në botën anglofone, pjesë të Europës kontinentale konsiderohen si të prapambetura dhe të korruptuara- dhe Parlamenti Europian si një vend ku njerëzit hanë darka luksoze me verëra të shtrenjta dhe marrin pagesa të larta për shumë pak punë. Pa dyshim për shumë njerëz, ky lajm vetëm sa konfirmon stereotipin.

Kam intervistuar shumë studiues dhe aktivistë kundër korrupsionit në fillim të këtij viti, ndërsa ekonomitë e mëdha të botës po përgatiteshin për të ndëshkuar Rusinë dhe rusët e korruptuar për pushtimin e Ukrainës nga Putini. Shumë ishin të gëzuar që më në fund po dëgjoheshin. Por shumica kishin një pikëpamje shumë pesimiste dhe të lodhur për Europën dhe politikbërësit europianë. Si mundet që një sistem kaq i zhytur në para të lista- kaq i prirur për të marrë fonde nga shtetet e huaja dhe pasuria e huaj- të shpëtojë ndonjëherë nga korrupsioni? Kjo ishte pyetja që më bënin, përgjigjja është shumë e vështirë.

Hetimi do të vazhdojë dhe pa dyshim që do të dalin fakte të reja, tronditëse. Deputetët dhe ‘kolegët e mirë’ të PE do të shprehin zemërimin e tyre. Do deklarojnë injorancë dhe pafajësi. Si është e mundur që të akuzuarit e kanë bërë diçka të tillë, do vajtojnë ata. Si mundën të na e bëjnë këtë? Kur je në media për një kohë të gjatë, mësohesh me justifikime të tilla dhe kërcëllitje dhëmbësh.

Ndërsa ligjvënësit mbeten të gatshëm të korruptojnë veten dhe institucionet e tyre, dhe ndërsa valët e mëdha të parave rrotullohen rreth njerëzve dhe vendeve që mbajnë pushtetin, votuesit do të pyesin gjithmonë se kush i ka marrë copat e argjendit- dhe se si, në fund, ky korrupsion do të ndikojë në jetët e atyre që nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të paguajnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco