Lajmi i fundit

LIVE/ Punimet e Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë

Që protesta e 20 shkurtit të tejkalojë kufijtë e bulevardit

Që protesta e 20 shkurtit të tejkalojë kufijtë e bulevardit

14:10, 26/02/2024
A+ Aa A-

Nga Ibrahim Morina/

Në 20 shkurt 2024, në 33-vjetorin e shembjes së simboleve dhe statujave komuniste, si rrallë ndonjëherë në këto më se 10 vitet e fundit, PD organizoi një nga protestat e saj më të mëdha, jo vetëm për nga pjesëmarrja, por për më tepër nga mesazhet e rëndësishme që ajo përcolli. Se sa e rëndësishme ishte kjo protestë mjafton të kujtojmë se Edi Rama jo se jo, por as altoparlantët e tij mediatikë nuk po gjejnë argumente për ta shpërfillur atë.

Nga ana tjetër ai demonstrim kundër kësaj qeverie, shton përgjegjësinë e PD dhe drejtuesve të saj për të menaxhuar dhe kanalizuar zemërimin popullor drejt qëllimit përfundimtar, ndryshimin e madh, rrëzimin e kësaj qeverie.

***

Sot, 33 vjet pas shembjes së simboleve dhe statujave komuniste, ta kujtosh 20 shkurtin e vitit 1991 me protesta antiqeveritare, nuk është ndonjë gjë e mirë. Kjo datë duhet të ishte një datë përkujtimore, jo thjesht kundër shembjes së një statuje në qendër të Tiranës, por një datë përkujtimore për të mos harruar se ato simbole ishin dëshmia më e mirë, se megjithëse të bronzta, “hija” e frikës, tmerrit dhe persekutimit që ato “pasqyronin” mbajtën për dekada me radhë një popull të tërë nën thundrën e një diktature komuniste, të pashembullt në botë.

Fakti që pas më se tre dekada nga shembja e atyre simboleve populli sërish del në shesh për të protestuar, dëshmon njëherazi dhe qartë se simbole të tjera, të gjalla, gjenetikisht trashëgimtarë të atij regjimi, “ftojnë” sërish për shembjen e tyre.

Trashëgimtarë të etërve të tyre, nga Edi Rama dhe deri te zyrtari më i fundit i rëndomtë i kësaj qeverisje, e kanë ngritur në institucion vjedhjen dhe korrupsionin. Rastet e aferave milionëshe eurosh të denoncuara rregullisht, vetëm SPAK nuk do ti dëgjojë dhe nuk do ti shohë. “Drejtësia e re” flamurin e së cilës ka marrë përsipër ta tundë SPAK, është thjesht dhe vetëm një noterizim i shtyrjes së ditëve të fundit të kësaj qeverie.

Nga ana tjetër, ndonjë diplomat i huaj, me gjasa “gëlltitës i ndonjë luge çorbe të prishur”, apo ndonjë “shtet mik” ku Edi Rama shkon për vizitë “turistike” sa herë që opozita organizon ndonjë protestë, nuk janë asgjë më shumë se sa sipërfaqe rëre ku kryeministri-struc shqiptar zhyt kokën e tij.

Por, indiferentizmi i SPAK, dhe mbulimi me shoshë që diplomatë të huaj i bëjnë aferave korruptive të kësaj qeverie, nuk mund të bëjnë të mos dëgjohet e shihet një revoltë popullore, ashtu sikurse nuk mund të shmangin fundin e pashmangshëm të kësaj qeverie.

Protesta e 20 shkurtit 2024, është vetëm fillimi. Uragani popullor ka nisur marshimin e tij, me objektiv e synim të qartë, largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Kjo tashmë është vetëm çështje kohe.

***

Pjesëmarrja e madhe në protestën e 20 shkurtit është dëshmi e qartë se padurimi për rrëzimin e qeverisë ka arritur kulmin. Përballë një situate të tillë, që ajo protestë të tejkalojë kufijtë e Bulevardit të Tiranës, shtrohen detyra dhe përgjegjësi të mëdha, jo vetëm për drejtuesit e lartë të PD-së, por për çdo anëtar e simpatizant të saj.

Populli ju përgjigj thirrjes së PD-së së bashkuar, për të protestuar. Ajo që vjen pas kësaj date merr një rëndësi edhe më të madhe. Ata mijëra protestues të cilët për më se 10 vjet nuk janë konsideruar dhe përfillur, ndjejnë dhe kanë nevojë që gjërat dhe marrëdhëniet “e bazës me qendrën” të ndryshojnë. Në radhë të parë duhet të jenë drejtuesit e PD-së të cilët duhet të dinë të lexojnë mesazhin e asaj pjesëmarrje të madhe në protestën e 20 shkurtit. Ndërsa e thirrën popullin në protestë dhe ai ju përgjigj, është detyrë e drejtuesve të PD-së që tua kthejë “vizitën”. Ata anëtarë e simpatizantë të PD-së të cilët prej më se 10 vjetësh nuk kanë parë në zonat e tyre asnjë drejtues të kësaj partie, kanë nevojë sot të vizitohen, të dëgjohen dhe çfarë është më e rëndësishmja, të konsiderohen si të rëndësishëm.

Shembulli i bashkimit të PD-së në qendër, duhet të shtrihet edhe në bazë, sigurisht duke “shkelur bazën” pëllëmbë për pëllëmbë dhe duke kontaktuar çdo anëtar e simpatizant të PD-së, çdo ish-kandidat e drejtues e ish-drejtues vendorë të kësaj partie, në funksion të një bashkimi edhe më të madh, të forcës së kësaj partie.

Përpos detyrimit të drejtuesve të PD-së, pikësëpari detyrimi është i yni, i çdo anëtari e simpatizanti të kësaj partie. Nuk është shumë e nevojshme për ndonjë orientim të mundshëm nga lart që gjithsecili prej nesh të kontaktojë anëtarë e simpatizantë dhe ti ftojë në këtë rrugëtim të ri. Nuk është e nevojshme që, bie fjala, ish-kandidatë për kryetarë bashkishë, apo drejtues vendorë të PD-së, të presin udhëzime, ndërkohë që me iniciativën e tyre, mund të denoncojnë aferat korruptive në bashkitë e tyre. Ndoshta është e nevojshme, që ish-drejtues vendorë në vite të PD-së, të ftohen për t’ju ribashkuar kësaj partie, bashkë me aspiratat dhe ëndrrat e tyre, të harruara apo të ngelura në mes të rrugës.

Koha rrjedh me shpejtësi, 22 marsi po afron. Kjo është një datë edhe më e rëndësishme se 20 shkurti, sepse përkujton, jo shembjen e simboleve, por shembjen e një regjimi. Dhe që protesta e 20 shkurtit të tejkalojë kufijtë e Bulevardit, duhet që në 22 mars, jo thjesht të tejmbushim të njëjtin Bulevard, por me zërin e protestës së radhës, mesazhi se kjo qeveri i ka ditët e numëruara, të tejkalojë gjeografikisht Bulevardin e Tiranës..., pse jo edhe me shembjen e regjimit të Edi Ramës, ti shtojmë kalendarit një datë të re përkujtimore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco