Lajmi i fundit

LIVE/ Punimet e Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë

Sikleti i Blinkenit

Sikleti i Blinkenit

10:45, 19/02/2024
A+ Aa A-

Nga Isa Zymberi/

Vizita e çdo zyrtari të lartë amerikan në Shqipëri është e rëndësishme, por është veçanërisht e tillë kur kjo bëhet nga numri dy i shtetit.

Sekretari amerikan i shtetit po e vizitonte një shtet të vogël mik me probleme jo aq të vogla. Shumica e problemeve shqiptare janë të injorueshme nga superfuqia amerikane, por është një problem që nuk anashkalohet lehtë. Fjala është për skandalin McGonigal, i cili prek drejtpërsëdrejti hiç më pak se kryeministrin shqiptar të cilit po i bëhej vizita.

Vizita ishte paraparë të ishte në rrugë e sipër për një konferencë në një shtet tjetër dhe do të zgjaste vetëm tetë orë. Kjo vizitë po bëhej vetëm dy ditë para se drejtësia amerikane t'ia shqiptontedënimin ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Z. McGonigal, i cili tashmë e kishte pranuar fajin.

Vizitës i kishte paraprirë një vizitë tjetër e një jozyrtari të rëndësishëm amerikan, ajo e Sorosit të Vogël, siç po i referohen zakonisht. Fytyra e tij është parë në shumë takime që kishin të bënin me Ballkanin Perëndimor, sidomos në ato që ndërlidheshin me 'Open Balkan'. Të dy Sorosët, plaku dhe i biri, ka kohë që janë të afërt me kryeministrin shqiptar. Nga kjo afri ka lindur dhe dyshimi se ata mund të kenë ushtruar ndikimin e tyre edhe për shpalljen e Berishës 'non-grata'. Kjo përforcohet më tej edhe me faktin se vetë Sekretari Blinken, edhe përmes familjes së tij, ka lidhje me Sorosët. Të gjitha këto do të mund të kapërceheshin sikur të mos kishte ndodhur skandali McGonigal.

Këto rrethana u hapin rrugë spekulimeve të ndryshme. Këto spekulime shkojnë deri aty sa mendohet se skenari i kësaj vizite është bërë nga vetë Sorosi i Vogël, edhe pse,çfarëdo që të thuhet në këtë drejtim mbetet vetëm spekulim.

Megjithatë, ia vlen që vizita e Sekretarit Blinken të analizohet nga një aspekt tjetër.

Blinken dukej tepër i lodhur dhe i rraskapitur. Kjo mund t'i atribuohet lëvizjeve të pandërprera të tij në përpjekje për të evituar zgjerimin e konfliktit Izrael-Hamas. Sido që të jetë, dukej se Blinken po e përjetonte këtë vizitë si të sikletshme. Nëse është e vërtetë kjo, atëherë janë vetëm dy-tri gjëra që mund t'ia kenë shkaktuar këtë siklet.

E para, po i bënte vizitë një vendi ku ish-presidentin, njëherit ish-kryeministrin, ia kishte shpallur 'non-grata' pa zbardhur prova, megjithëse kishte deklaruar se i kishte ato. (Blinkeni është diplomat i rryer dhe këtë do ta tejkalonte disi po të mos ekzistonin edhe elemente të tjera.)

E dyta, vizita ishte perceptuar gjerësisht si një vizitë për t'ia bërë një nder Edi Ramës, thellësisht të involvuar në skandalin McGonigal.Ky e kishte pranuar fajin dhe vetëm po priste t'i shqiptohej dënimi. Disa mendojnë se vizita e Blinken-it e ka mbyllur për Ramën çështjen McGonigal, por edhe e kundërta mund të jetë e vërtetë, mund ta ketë aktualizuar edhe më shumë.

E treta, po i shtrëngonte dorën, madje dhe po e lavdëronte si kryeministër të jashtëzakonshëm njeriun për të cilin i gjithë opinioni, brenda dhe jashtë Shqipërisë, pretendon se e di pa fije dyshimi se e kishte korruptuar zyrtarin e FBI-së dhe e kishte futur në lojën e biznesit me masën 'non-grata'.

Shumëkush, në Shqipëri dhe jashtë, mendon se e njeh mirë Edi Ramën me të mirat dhe të këqijat e tij, me skandale gjithëfarësh që përditë i përplasen fytyrës atij apo  bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.Mirëpo, askush nuk është në pozitën e Blinkenit për ta njohur Ramën në tërësinë e tij. Blinkeni ka akses në shërbime që dinë absolutisht çdo gjë për Ramën, megjithatë ai erdhi dhe e mbështeti në mënyrë të pazakontë.

Dukej sikur në këtë takim po ndodhte një betejë e brendshme te Blinkeni - beteja midis Blinkenit diplomat dhe Blinkenit njeri. Si diplomat duhej t'u përmbahej qëndrimeve të tij, por si njeri patjetër se do të jetë ndier në siklet duke e nderuar aq shumë njeriun, që kishte prekur keq një ndër institucionet më të rëndësishme të SHBA-së, dhe mbase, intimisht, me shumë qejf do ta këmbënte me Berishën, të cilit i ra në qafë vetëm për t'ia eliminuar opozitën Ramës. E gjithë kjo mund të quhet një siklet i madh në një vend të vogël, por edhe një ngatërrim i politikës shtetërore me atë personale.

Seleksionimi i takimeve po ashtu flet vetë. Për kurtuazi, Blinkeni takoi presidentin Begaj, por pati, ndër të tjera, dhe takime simbolike, si shtëngimi i dorës me Veliun, takime të shkurta me prokurorë e gjyqtarë. Mbetet pikëpyetje e madhe se çfarë qëndron pas këtyre simbolikave. Gjyqësia dhe prokuroria (SPAK-u) si frut (herë i SHBA-së, herë i PS-së) i reformës në drejtësi kanë nevojë për një mbështetje parimore, jashtë partiake, për t'i sjellë në rrugën e një drejtësie të paanshme, e jo selektive deri te preferenca politike. Vetë hetimi i Berishës, ta zëmë, vërteton më së miri se e gjitha është pjesë e konspiracionit Rama - Sorosët - Mcgonigal, ku rrëshqiti dhe vetë Blinkeni.

Tani, mbështetja e Blinkenit duket se i dha zemër Edi Ramës, i cili filloi të silllet sikur nuk ka asnjë brengë në botë, madje filloi përsëri ta kërkojë Europën për nuse.(Nuk e dimë nëse e do me apo pa makiazh!)

Ramës, edhe nëse i harrohen të gjitha skandalet brenda Shqipërisë, skandali me McGonigal do ta përcjellë sa të jetë gjallë, dhe sa herë të përmendet emri Edi Rama asocimine parë do ta ketë emrin McGonigal. Po ashtu, nëse vizitat e disa sekretarëve të shtetit amerikan do të mbahen mend si historike dhe shumë të rëndësishme, kjo vizita e shkurtër e Blinkenit ka gjasë të harrohet shpejt, anise mund të ketë lënë pasoja që do të shfaqen më vonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco