Kamikazët e paguar të asaj pjese që quhet PD zyrtare...

Kamikazët e paguar të asaj pjese që quhet PD zyrtare...

12:08, 04/01/2024
A+ Aa A-

Nga Sokrat Turtulli

Janë pak, shumë pak, disa të paguar, disa të çoroditur nga epshi i të qënit në strukturat drejtuese të asaj pak pjese të mbetur dhe më të çoroditur se vetë ata që e quajnë veten drejtues. Janë pak, shumë pak tek ajo pjesë ku dikur isha dhe vetë. Ju dhashë me gjithë shpirt logos dhe emrit të partisë që mbështeta që prej themelimit të saj dhe kurrë nuk besoja kur dëgjoja dhe lexoja se, drejtuesi i saj është mashtrues dhe i pabesë deri ditën kur e pësova dhe mbi veten time.

U rreshtova dhe e mbështeta fuqishëm duke dalë kundra të gjithë miqve, shokëve dhe të afërmve të mi. Më thanë shumë vetë që është i shitur. Më thanë shumë e shumë të tjerë që ai politikën e ka biznes, por kurrë nuk e besova deri ditën kur ai u zhduk dhe na la në mes të rrugës ne që e mbështetëm pa kushte dhe me atë idealizmin e pastër. Dhe jo që na la në mes te rrugës, por më e keqja kur na u kthye sërish si për të na thënë se erdha unë i humburi, unë bukëshkali, unë që dhashë dorëheqjen e padorëhequr, unë që ju lashë pa kryetar dhe që sot ju shfaqem si kryetar me të vetmin qëllim "të qënit deputet në 2025 për veten time".

Të besova, të ndoqa verbërisht deri ditën kur ti më mashtrove sy për sy. Kur ti më hoqe nga Këshilli Kombëtar dhe që ma pranove në sy pa t'u dridhur syri fare dhe duke më buzëqeshur me atë lloj buzëqeshje fiks siç më mashtrove po sy për sy kur ishe kryetar bashkie.

Po sot nuk dua të merrem më me ty, por me ata që ti ke filluar t'i paguash duke i kthyer në kamikazë vetëm për të sulmuar 24 orë Berishën. Dhe në këtë rast nuk ke faj ti, por ata që akoma të besojnë ashtu sikundër të besova unë për dy vjet. Ju ke dhënë një detyrë të rëndë, të poshtër, atë të sulmit ndaj atij që të bëri deputet, ministër dhe kryetar bashkie. Unë disa prej tyre i njoh dhe më vjen keq që bien në kthetrat e tua, pasi ti dhe disa rreth teje nuk kanë mendere ta sulmojnë me emër Berishën. Po të hysh në profilet e atyre 7 apo 8 kamikazëve gjen vetëm sulme, fyerje dhe sharje ndaj një personi të vetëm me emrin Sali Berisha. Dhe e dini kush janë ata? Janë ata që kontribut të vetëm në PD kanë sulmin prej 2 vjetësh që i bëjnë Berishës. Vetëm prej kësaj ata kanë kapur majat e asaj që ata e quajnë PD euroatlantike, por që edhe vetë nuk e kuptojnë këtë të fundit.

Do vijmë në pushtet- thonë! Do na sjellin aleatët. Pika që s’ju bie mu në çuçkë të kokës kur akoma prisni nga aleatët në një kohë që aleatët aty kanë qënë prej vitesh dhe nuk ua ka ndjerë për ju dhe jo aq, por të shtrydhën duke arritur qëllimin e tyre dhe më pas duke të flakur nga selia dhe duke të lënë në mëshirë të Ramës...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco