Ndryshimet për Ligjin e Librit në Shqipëri, promovim dhe jashtë territorit të vendit

19:25, 30/12/2023
A+ Aa A-

Me Vendimit të Këshillit të Ministrave janë miratuar në 28 dhjetor shtesat dhe ndryshimet e propozuara për Ligjin nr.9616, datë 27.9.2006 "Për librin në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

Ligji synon ndër të tjera buxhet të patjetërsueshëm nga bashkitë për bibliotekat e qyteteve, lehtësira për personat me aftësi ndryshe, shtrirje të promovimit edhe jashtë territorit të Shqipërisë, reduktim nga 5 në 3 kopjeve të botimeve që duhet të mbajë Biblioteka Kombëtare. Si pasojë e ndryshimeve në disa nene zbehen kompetencat e Ministrisë së Turizmit dhe forcohet ndikimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Disa nga ndryshimet në Ligjin e Librit, që hyjnë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare (29 dhjetor) janë si më poshtë:

1.Promovimi i librit edhe jashtë territorit të Shqipërisë

Ligji i ndryshuar i librit zgjeron kufijtë e promovimit të tij dhe produkteve të përafërta me të, jo vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë por edhe jashtë saj.

2. Forcohet ndikimi i Qendrës së Librit në Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Nxitjes së Leximit

Në përbërje të Këshillit Kombëtar të Librit dhe i Nxitjes së Leximit që kryesohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (me 10 anëtarë) zëvendësohet Kryetari i Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Shqipërisë me Drejtorin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ndërsa përpos dy anëtarëve, personalitete të njohura të fushës, që caktohen nga ministri përgjegjës për librin për një periudhë 4-vjeçare shtohen dhe dy përfaqësues nga grupet e interesit.

3.Bibliotekat e qyteteve, fondi që miratohet në buxhet i patjetërsueshëm

Njësitë e vetëqeverisjes vendore planifikojnë dhe përcaktojnë në buxhetet vjetore përkatëse një zë të veçantë për blerjen e librave për bibliotekat publike të njësive të vetëqeverisjes vendore. Ndërsa Fondi për librin, i miratuar në buxhetin e organit qendror apo vendor me ndryshimet në Ligj bëhet  i patjetërsueshëm.

4. Regjistri i Botuesve nga Ministria e Turizmit te Qendra e Librit

Regjistri i botuesve,ku regjistrohen të gjithë botuesit e licencuar për ushtrimin e veprimtarisë botuese, nuk do të jetë më pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve por në Qendrën Kombëtare të Librit.

5. Nga 5 kopje të botimeve, Biblioteka Kombëtare mban 3

Biblioteka Kombëtare mban detyrimisht 3 (tri) kopje nga 5 (pesë) botimet e dorëzuara dhe shpërndan kopjet e tjera në institucionet publike, në bazë marrëveshjes së nënshkruar mes palëve dhe miratuar nga ministri përgjegjës për librin.

Ligji parashikon mekanizma të qarta për aksesin e personave me aftësi ndryshe, duke parashikuar se në fondin kombëtar për librin, krahas nxitjes së botimit të veprave me rëndësi kombëtare, historike, kulturore e shkencore, është parashikuar një zë edhe për veprat të aksesueshme nga personat me aftësi të kufizuar.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco