VIDEO/ Sopranoja Eva Golemi në ‘Odeon’: Po të ktheja kokën mbrapa nuk do bëja asgjë...

21:30, 27/04/2024
A+ Aa A-

Një jetë e mbushur me fitore, një jetë në të cilën ka rrokur duartrokitje të pafundme, adhurimin e publikut dhe shpërblime për punën sistematike. Përgjatë kësaj udhe të gjatë artistike, sopranoja tregoi në ‘Odeon’ se ka dhe momente të vështira, momente plogështie. Golemi tha se në çdo rast e ka ndjekur dritën e shpresës.

Egla Xhemalaj: Në kohët moderne që të flasim për një Eva, me gjithë këto vlera të jashtëzakonshme njerëzore është pak e vështirë ngase kohët moderne i duan njerëzit paksa më të akullt, më të largët, jo kaq ndjesorë.

Eva Golemi: Mbase jam demode... (qesh)

Egla Xhemalaj: Klasikja nuk del kurrë nga moda. Duke qenë një artiste e tillë Eva, duke pasur këto vlera të jashtëzakonshme njerëzore, por edhe artistike publiku emocionohet sa herë që del edhe paraqitesh në skenë. Cili ka qenë mbase një moment, një duartrokitje shumë e zjarrtë nga gjithë kjo veprimtari e gjatë artistike se u bënë shumë vite apo jo. U bënë më shumë se dy dekada në skenë. Cili ka qenë një moment që e kujton herë pas here edhe ndonjëherë kur ndien një lloj plogështie, diçka që nuk shkon, në një ditë normale, në një ditë ku mbase nuk je dhe pranë Operas.

Eva Golemi: Njeriu ka momentet e veta të dëshpërimit, të plogështisë. Nganjëherë them sot nuk kam dëshirë të çohem nga krevati, pastaj e marrë atë forcën edhe çohem, ngase kam obligime shumë të mëdha. Kam obligime familjare, të fëmijëve. Tërë dynjaja e di që unë çohem që në gjashtë të mëngjesit.(qesh)

Bëj gati fëmijët, që kur ishin në çerdhe e tani në shkollë. Çdo gjë në shtëpi e bëjë vet. Ka momente, sa të duash ka momente trishtimi, plogështie, por dëshira ime për të vazhduar përpara, për ta marrë ditën me pozitivitet e hedh mbrapa çdo gjë.

Egla Xhemalaj:  Gjithmonë ka një rreze drite që e përkap.

Eva Golemi: Gjithmonë ka një gjë që them se duhet ta bëj. Tani çohu Eva merr forcën dhe bëje!

Arti është ibukur , po ka dhe ditë të trishta, brryla, andej-këndej. Ka shumë gjëra që mbase edhe nuk të pëlqejnë, por mendoj që e përgjithshmja është shumë e mirë dhe thashë që po të ktheja kokën mbrapa nuk do bëja asgjë më pak seç kam bërë tani. Çdo gjë do ta bëja njësoj.

Eva Golemi është trinomi i gruas së bukur, gruas së zellshme e të talentuarës që gjithmonë e më tepër dëshiron të lërë gjurmë kudo, në profesion e në jetën e përditshme.

EMISIONI I PLOTE:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco