‘Arrestimi e dhuna s'diti me pushue’, pretencat për Zorbën në kutinë e duhanit, Isufaj zbulon vuajtjet e poetit: Faqja e trupi njësh me çimenton e burgut

21:41, 04/05/2024
A+ Aa A-

 Ndonëse ajo i mungoi gjatë, ai qe gjithmonë në kërkim të saj. Poeti i dritës, Zef Zorba u thuri vargje dhimbjeve që buçisnin së brendshmi. I dënuari i radhës nga regjimi famëkeq ndër figurat e intelektualëve, Zorba u arrestua krejt çuditshëm, ndërsa pretencat ia shkruan në kutitë e duhanit të asaj kohe. Viola Isufaj zbuloi në ‘Odeon’  më shumë rreth lëngatës së thellë të padrejtësisë e dënesës që s'iu shua kurrë.

Pjesë nga biseda:

Egla Xhemalaj: Një pjesë e mirë e jetës së poetëve si Zorba, nuk mund të kuptohet edhe pa ato përjetimet deri në asht të regjimit famëkeq. Në ç’mënyrë e paraqiti dhimbjen e pafuqinë pas dyerve të burgut?

Viola Isufaj: Po instalohet regjimi komunist. Zef Zorba ka mbetur në Shqipëri. Ka ardhur me pushime, ka ardhur nga Italia ku ishte student i shkencave politike, po jo vetëm ai por i gjithë brezi i tij mbetet në Shqipëri. Më vonë në '45, ju e dini, instalohet regjimi komunist dhe në këtë kohë është edhe shfaqja ‘Juda Makabe’. Është një epokë e errët që po hynë në Shkodër, fillimet e agut të kuq. Janë arrestimet në masë. Ishte koha tregon e bija Luçia, kur të gjithë çoheshin dhe thoshin ‘Kë kanë arrestu mbramë?’

Sidomos Shkodra u bë vend i mbushur me burgje. Ajo kishte një sharm, një bukuri të paparë të brendshme dhe të jashtme, por që u shndërrua në një dhimbje të paparë.

Më 17 Shator të 1946 një njeri ju afrua në rrugë Zef Zorbës dhe e pyeti si rastësisht ‘A ke me nez?’; Në moment i tha hajde mbas meje dhe këtu filloi arrestimi dhe dhuna siç thotë Zorba ‘nuk diti me pushue’.

Ai arrestohet dhe i bëhet një gjyq jo serioz, pretencat ishin të shkruara në kutinë e duhanit që ka qenë në atë kohë dhe merr dënimin e fillon vuajtjen e dënimit. Tani ne na duhet të kuptojmë që fillon izolimi, vargjet e lagështa dhe shpuese të qelisë dalin në disa tituj. Për shembull në poezinë me titullin ironik ‘Sonte festë’, ku thuhet ‘o çimento, si unë si ti’, do të na duhet të kuptojmë se është nata e parë. Është plasur në qeli, si të thuash dhe faqja e tij, trupi i tij është njësh me çimenton dhe kështu mund të dekonstruktohet ky varg. Ne do të hymë në një realitet tjetër. Shumë shpesh në realitete të tilla, të thella, të egra, në një realitet të banales me minj dhe me merimanga me elementë fantazmagorike, që do të vijnë në disa poezi, ai do të kërkojë drejtpeshimin. I drejtohet vetes së vet si një lloj lëmishte duke tërhequr vargjet e Shekspirit, na bën të kuptojmë që me të mund të kuptohet më mirë ose mund të ngushëllohet më mirë. Në këto momente shkruan poezitë e tij, ku na paraqet disa imazhe ekspresioniste siç është për shembull imazhi i paharrueshëm i qenieve të nderura pezull në një rreze ose siç është loja e tij me merimangën në qeli. Unë do të ndaloja te disa poezi të tjera , ku kulmon ajo thirrja dëshpëruese, duket sikur duart e shpirtit ngrihen lart në qiell dhe i drejtohen Zotit me fjalët ‘Zot shpejto të më ndihmosh!’

EMISIONI I PLOTE:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco