VIDEO/ Viola Isufaj në ‘Odeon’: Verbi enigmatik i Zorbës, si thellësia e greminës

21:39, 04/05/2024
A+ Aa A-

‘Baladë dritash për Zorbën’ titullohet monografia e shkrimtares dhe studiueses së letërsisë Viola Isufaj, që sapo ka njohur dritën e botimit. E ftuar në emisionin ‘Odeon’ në Syri Tv, Isufaj rrëfeu përvojën sa të mrekullishme, po aq edhe të mundimshme të të punuarit me Zorbën, për Zorbën.

Një prej zërave më dinjitozë të poezisë bashkëkohore shqipe, Zef Zorba ka jetuar mes dritëhijesh. Viola Isufaj na tregon që nga ecejaket e para të fëmijërisë, vuajtjet deri në asht për humbjen e të vëllait,  pasionin e tij për artet e bukura që u ngjiz në oborrin e Kolë Idromenos, për tingujt e muzikës deri te vargjet e burgut e te verbi i tij enigmatik jashtëzakonisht tërheqës.

 ‘Mund të flas me pak vështirësi, jo pa ndërlikueshmëri për atë çka më tërhoqi në takimin tim të parë dhe në takimet e tjera me Zef zorbën. Verbi i tij enigmatik jashtëzakonisht tërheqës si thellësia e greminës, e cila edhe josh të thërret drejtë vetes, po ka dhe një lloj ndriçimi metafizik përsipër.

Pastaj dy pamje të botës, njëra flakëruese plot pikturë, plot ngjyra, muzikalitet dhe pamja tjetër e botës, e trishtë, e errët, përthithëse e tillë siç na shfaqet në poezinë ‘Sa mirë atëherë’ e në poezitë shpuese të qelisë. I kudondodhur çdokund në çdo çast realiteti shtangues i ‘Buzëve të ngrira në gaz’, sintagma që përbën titullin e vëllimit të tij poetik të vetëm.

Nga ana tjetër përtej verbit është edhe jeta e tij, e cila meriton shumë vëmendje. Pak dihet për jetën e Zef Zorbës, këtij personaliteti poliedrik, por edhe etik. Më ka tërhequr shumë marrëdhënia me artet e tjera, me pikturën e me muzikën. Për këtë janë bërë disa prerje të tilla, për këtë studim.

Sigurisht që specialistët e arteve të bukura dhe të muzikës mund të ndihmojnë për ta çuar përpara këtë punë, për ta çuar edhe më tej sepse nuk mund të thuhet ndonjëherë se u shterr realiteti i ‘Buzëve të ngrira në gaz’. Dhe diçka tjetër m'u në mes të fëllimit të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë Zef Zorba bën kalvarin e tij, kështu i është caktuar.

Ai nuk e zgjodhi kohën, kjo është thënë gjithmonë. Mendoj se koha e zgjodhi atë, sipas përcaktimit tim e zgjodhi si një model të njeriut me kryqin përmbi supe. Si model të njeriut, i cili do të këndojë këngën e tij në vetmi edhe kur nuk do ta dëgjojë njeri. Me këtë këngë ai larton njeriun.

Së fundmi, jo më pak e rëndësishme ai vjen këtu në këtë monografi të parë për të dhe si autori, poeti që solli komunikimin përtej heshtjes, pra mënyra e tij e komunikimit është tejet e veçantë mund të thuhet ka, nuk ka komunikim me lexuesin, si u konceptua një poezi e tillë përgjatë gjysmëshekulli në mënyrë kaq enigmatike, të fshehtë, sekrete.

Si qëndruan poezitë në sirtar për kaq kohë, për të parë dritën e botimit më në fund në vitin 1994’, tregoi shkrimtarja dhe studiuesja e letërsisë Viola Isufaj.

Kur flitet për poezinë e Zorbës, ajo nuk mund të shihet e shkëputur nga muzika. Iufaj sjell shembuj të shumtë në libër. Poezia ‘Natën kur bie shi’ është sikur të jetë e mbushur plotë me ritëm e me tinguj xhazi. Element tjetër shumë i rëndësishëm është pikturimi i peizazheve. Një vëmendje e posaçme ndaj detajeve, ekspresivitetit, një interes i kudondodhur për dritën, imazhet dëgjimore, zhurmat, përvojat ndjesore të të prekurit, imazhet e shijes.

EMISIONI I PLOTE:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco